Sasuolo ka shfaqur sërish interes për mesfushorin kuqezi Nedim Bajrami. Futbollisti 22-vjeçar pëlqehet së tepërmi nga trajneri i zigjelbërve Alesio Dionisi, i cili i njeh mirë aftësitë e shqiptarit. Trajneri Dionisi e ka stërvitur mesfushorin me tipare sulmuese një sezon më parë, kur ai ishte në stolin e Empolit.

Sasuolo tentoi edhe në verë që të merrte Bajramin, i cili ka shënuar deri më tani 4 gola në Serinë A. Bajrami shikohet si njeriu i duhur te Sasuolo për të zëvendësuar Filip Djuriçiçin, që pritet të largohet.

Marrëdhëniet midis të dyja klubeve janë mjaft të mira, por drejtuesit e klubit nga Toskana nuk kanë ndërmend që ta lënë 22-vjeçarin që të ikë.

Një tjetër skuadër që ka shfaqur interesim në këtë merkato të dimrit për futbollistin kuqezi është edhe Kaljari. Ekipi sard do të tentojë që të bindë drejtuesit toskanë duke u ofruar kartonin e portierit Gulielmo Vikario, të huazuar tek Empoli.

Klan News