Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Brenda pak orësh Partia Demokratike e Rinovuar me kryetar Dashamir Shehin, ka ndryshuar plotësisht qëndrim ndaj procesit të bashkimit të opozitës. Zoti Shehi ka refuzuar çdo lloj bashkëpunimi me PD dhe forcat e tjera opozitare dhe ka deklaruar, se mbetet jashtë realizimit të idesë së Berishës, në shkrirjen e një partie të vetme të partive opozitare, ashtu si dhe të hyrjes në një koalicion të gjerë.

Dashamir Shehi:- “Përsa i përket ideve të shkrira, apo të krijimit të një blloku të përbashkët opozitar, ne nuk jemi dakord, ne e quajmë skemën e pavlefshme në favor të opozitës”.

Nga ana tjetër, zoti Shehi ka pranuar idenë e institucionalizimit të një tryeze të përbashkët të opozitës, për marrjen e qëndrimeve të përbashkëta, për reformën zgjedhore, ligjin për pronat dhe ish-të persekutuarit politikë. Për një tryezë të përbashkët është shprehur dhe kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, i cili ka akuzuar kryeministrin Fatos Nano, se ka politizuar plotësisht institucionet e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Fatmir Mediu:- “Mendojë që duhet një takim urgjent i Bashkimit për Fitore, por dhe forcave të tjera të opozitës, për të pasur një agjendë  të përbashkët të veprimit politik, për të garantuar pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër krimit të organizuar njëkohësisht edhe reformën elektorale zgjedhore, çështjen e pronës private dhe probleme të tjera shqetësuese”.

Thirrja e zotit Berisha, për një tryezë të përbashkët është përkrahur dhe nga reformatorët drejtuar nga Genc Pollo, ndërkohë ata janë në pritje të një përgjigje zyrtare nga kryetari i demokratëve Sali Berisha, për të përcaktuar pikat e takimit të pritshëm mes tyre./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço