Tre dronët luftarakë Bayraktar kanë mbërritur në Shqipëri. Të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar, avionët që drejtohen pa pilotë janë vendosur në bazën ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë dhe do të përdoren nga Forcat e Armatosura Shqiptare për misione ushtarake, policore dhe civile.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi bën të ditur se prej dy ditësh ka filluar montimi dhe paralelisht po kryhet instalimi i infrastrukturës mbështetëse për operimin dhe kontrollin e tyre.

“Ky zhvillim jo vetëm që rrit aftësitë e mbrojtjes së Shqipërisë, por shërben edhe si dëshmi e angazhimit të vendit për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për të përmbushur standardet më të larta të mbrojtjes. Kjo arritje, simbol i dedikimit tonë drejt modernizimit dhe inovacionit në Forcat tona të Armatosura”.

Për të mundësuar komandimin dhe kontrollin e dronëve, tre ekipe nga Forcat e Armatosura kanë ndjekur kurse intensive në Turqi.

Jo vetëm një armë më shumë për mbrojtjen e vendit në kohë luftë, por dronët Bayraktar përdoren edhe për të ndjekur personat në kërkim, për të luftuar kultivimin e narkotikëve në terren, ndërtimet e paligjshme apo për të monitoruar zjarret dhe pyjet.

Marrëveshja me qeverinë turke për blerjen e flotës së dronëve u nënshkrua në Dhjetorin e vitit 2022.

Dronët Bayraktar po rezultojnë armët më të suksesshme në luftërat e viteve të fundit.

Tv Klan