Trajneri i Kroacisë, Zlatko Dalic foli të martën në konferencën për mediat para ndeshjes së të mërkurës me Kombëtaren e Shqipërisë.

Ai tha se skuadra e tij “meriton më shumë respekt” për arritjet e viteve të fundit. Kroatët do të përpiqen të “rimarin veten” pas disfatës ndaj Spanjës në ndeshjen hapëse të Euro 2024.

“Nuk ishte një pamje e bukur për të parë, por ne jemi gjithmonë “kali i errët”, ne nuk jemi gjithmonë ndër favoritët, kështu që askush nuk besoi tek ne dhe në gjashtë vitet e fundit, por ne kemi fituar tre medalje. Vetëm Franca ka bërë më mirë se ne” – tha Dalic.

Dalic: Ne duam të kalojmë grupin, nuk jemi të dekurajuar pas Spanjës. E dimë që duhet të luajmë më mirë se në ndeshjen e parë, jemi të kënaqur me gjithçka, jemi përgatitur, bëmë atë që duhej të bënim. Ne kemi rezultatet për të treguar, se jemi më mirë se sa mendojmë. Pas kësaj disfate ka një perspektivë më negative, por ne mezi presim ndeshjen e ardhshme.”

Për ndeshjen përballë Shqipërisë

Dalic: Shqipëria nuk është një rival me të njëjtën cilësi si Spanja, por meriton shumë respekt. Ata janë të motivuar dhe të organizuar, duhet të jemi të durueshëm dhe të kujdesshëm. E dimë që synimi ynë është të fitojmë, do të jemi më sulmues, duam të bëjmë më mirë. Kundër Spanjës kishim edhe topin, kishim më shumë raste, por tani duhet të jemi edhe më mirë. Do të ketë ndryshime në përbërje, do ta vendosim më pas.

Mediat korate sugjerojnë se Dalic do të “ndajë” treshen e mesfushës, Luka Modric, Mateo Kovacic dhe Marcelo Brozovic, me këtë të fundit që pritet të mungojë përballë Shqipërisë.

Gjysmëfinalistët e Kupës së Botës dhe nënkampionët e Ligës së Kombeve shpresojnë të rikthejnë fushatën e tyre në Grupin B në rrugën e duhur, kur të përballen me Shqipërinë në Hamburg të mërkurën.

Kroacia u trondit nga tre gola të Spanjës në pjesën e parë në humbjen e saj 3-0 në Olympiastadion, por janë të bindur se mund të arrijnë ende në fazën eliminatore për turneun e pestë të madh radhazi.