Shtëpia ku ndërroi jetë ikona e bukurisë Marilyn Monroe është shpallur monument historie nga autoritet amerikane. Vendimi i cili u morr nga Këshilli i Qytetit të Los Anxhelosit do t’i lejojë autoritetet të mbrojnë këtë ndërtesë të vendosur në lagjen e pasur Brentwood.

“Nuk ka asnjë person apo vend tjetër në qytetin e Los Anxhelosit që të jetë aq ikonë sa Marilyn Monroe dhe shtëpia e saj në Brentwood”, tha këshilltarja e qytetit, Tracy Park.

Vetëm disa muaj para vdekjes së saj, Monroe i tha një gazetari për revistën “Life” se i pëlqente sa private ishte shtëpia, duke refuzuar të lejonte fotografin të bënte foto.

“Unë nuk dua që të gjithë të shohin saktësisht se ku jetoj unë, si duket divani im ose oxhaku im”, u shpreh ajo për revistën. Marilyn Monroe e kishte blerë këtë rezidencë në vitin 1962, menjëherë pas divorcit të saj nga Arthur Miller, në përpjekjen e saj për të rifituar një farë privatësie.

Në këtë shtëpi, aktorja u gjet e pajetë vetëm gjashtë muaj më vonë për shkak të mbidozës së ilaçeve në moshën vetëm 36-vjeçare.

Klan News