Numri dy i botës Jannik Sinner mundi Holger Rune 6-4 6-7 6-3 në çerekfinalet e turneut të Monte Carlo-s. Vitin e kaluar ishte danezi që siguroi gjysmëfinalen duke mposhtur italianin, por këtë herë 22 vjeçari u tregua më i aftë dhe shkon në pesë gjysmëfinale këtë vit, në po aq turne të marrë pjesë.

Rune u tregua energjik në fushën me dhe të kuq, por gjatë sfidës nuk munguan përplasjet me turmën, e po ashtu edhe një debat me gjyqtarin.

Edhe Stefanos Cicipas siguroi një vend në gjysmëfinale, pasi mundi Karen Khaçanov 6-4 6-2, me grekun që kërkon t’i rikthehet sukseseve pas një viti 2024 me ulje-ngritje.

Sukses edhe për Novak Xhokoviç që mposhti në çerekfinale Aleks de Minaur 7-5 6-4 dhe siguroi gjysmëfinalen e parë të turneut të Montekarlos për herë të parë që nga viti 2015, ku serbi triumfoi.

Ndeshja zgjati dy orë e 4 minuta dhe Xhokoviç u hakmorr për humbjen e fundit në United Cup ndaj australianit.

Klan News