Ky është momenti kur mjeku Edmond Gashi largohet nga gjykata pas njohjes me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. I shoqëruar nga një tjetër person pas përfundimit të seancës, ai tentoi të shmangte mediat që e prisnin në dalje të gjykatës duke kaluar nga dera ku kanë të drejtë me anë të kartave të posaçme të hyjnë apo dalin personeli dhe gjyqtarët e gjykatës.

Këto pamje që Klan Neës disponon janë regjistruar nga kamerat e sigurisë së gjykatës të cilat tregojnë se mjeku pavarësisht peshës që mbart, vrapon që të mos përballet me gazetarët dhe të mos filmohet nga kamerat.

Kjo mënyrë largimi, ka detyruar gjykatën të dalë me një njoftim për shtyp duke sqaruar atë se çfarë shihet në këto pamje duke deklaruar se ai është larguar pa praninë e policëve duke thyer kështu kodin e procedurës penale.

Mjeku Edmond Gashi dhe kur u paraqit në gjykatë, nuk ishte i shoqëruar nga policët.

Gjykata e Tiranës konfirmoi masat për mjekët dhe specialistët e pavionit të “Onkologjisë” në Tiranë.

Arrest shtëpie është vendosur për mjekun Edmond Gashi ndërsa për kolegen e tij Alketa Pere dhe zv.drejtoreshën e qendrës spitalore, Brikena Qirjazi u vendos masa “detyrim paraqitje”.

Mes të proceduarve është dhe koordinatori në QSUT Emiljano Lela, ish-specialist Drilon Kishta, Halil Gashi administrator i klinikës private ‘Megis’ dhe Florian Marku pronari i “Flori Farma”.

Prokuroria thotë se në bashkëpunim me njëri-tjetrin mjekët dhe specialistët e Onkologjikut orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi.

Klan News