Në kuadër të programit pilot “Një OKB”, pjesë e të cilit është përzgjedhur të jetë dhe vendi ynë, qeveria spanjolle do të financojë tre programe me vlerë 10.7 milion dollarë, në mbështetje të objektivave të zhvillimit të mijëvjeçarit.

Kryeministri Sali Berisha, koordinatorja e Kombeve të Bashkuara Gulden Turkoz-Cosslett, e ambasadori i Spanjës në Shqipëri Manuel Montobbio, kanë prezantuar programet e reja në fushën ekonomike, atë kulturore si dhe një program për punësimin e të rinjve.

Sali Berisha: “Qeveria spanjolle ka financuar tre projekte për mbështetjen e objektivave të mijëvjeçarit në Shqipëri me një total prej 8 milion e 876 mijë dollar si dhe është i vetmi donator që ka bërë angazhim tre vjeçar për programin “Një OKB” me një fond prej 4 milion dollarësh.”

Gulden Turkoz-Cosslett: “Qeveria shqiptare është e përkushtuar për ta shfrytëzuar në mënyrë të efektshme ndihmën e huaj në rrugën e saj drejt arritjes së prioriteteve kombëtare. Dhe jep mbështetje të fortë për punën e OKB-së për ta çuar atë deri në në fund. Mbështetja e vazhdueshme e fuqishme e Shqipërisë për OKB-në e ka bërë punën tonë më të lehtë.”

Manuel Montobbio: “Ky angazhim nuk është vetëm angazhim i qeverisë se Spanjës me qeverinë e Shqipërisë dhe administratën e Kombeve të Bashkuara, por është njëkohësisht një angazhim i popullit spanjoll me popullin shqiptar. Dhe me një sistem të Kombeve të Bashkuara më të mirë për të gjithë.”

Programi i parë është ai i qeverisjes ekonomike me vlerë 2.9 milion dollar. I cili do të zbatohet nga PNUD dhe BB në bashkëpunim me ministrin tonë të ekonomisë dhe ministrin e punëve publike. Ky program do të mbështesë reforma rregullatore në sektorin e energjisë dhe ujit. 

Programi tjetër është ai për rininë, punësimin dhe migrimin me vlerë 3.3 milion dollar, do të zbatohet nga ILO, IOM, PNUD dhe UNICEF në bashkëpunim me ministrinë e punës dhe çështjeve sociale dhe ministrinë e jashtme.

Ky program i përbashkët ka si synim të sigurojë më shumë mundësi punësimi për të rinjtë dhe të vendosë në një linjë strategjitë kombëtare për rininë, punësimin dhe emigrimin. Programi i tretë dhe i fundit është ai për kulturën dhe zhvillimin me vlerë  3.3 milion dollarë, i cili do të zbatohet nga PNUD dhe UNECO në bashkëpunim me ministrinë turizmit dhe kulturës,  dhe ministrin e  punëve të jashtme.

Ky program ka si qëllim të ruajë, mbrojë dhe promovojë trashëgiminë kulturore të Shqipërisë. Një nga aktivitetet kryesore të këtij programi është rehabilitimi i muzeut historik kombëtar në Tiranë, duke e transformuar atë në një institucion kulturor bashkëkohor./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka