Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Në Partinë Demokratike po fryn era e ndryshimeve. Kështu ka deklaruar ish-kryetari demokrat Tritan Shehu duke nënvizuar se ky është rezultati i përpjekjeve dy vjeçare të moderuarve brenda kësaj partie. Kohët e fundit kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha i ka kërkuar Shehut platformën e fraksionit si dhe përbërjen e tij. Ndërkohë vetë paraardhësi i Berishës ka sqaruar sot për Tv Klan, idetë e tij rreth fraksionit dhe kthesës së fundit të PD.

Tritan Shehu, deputet i PD:- “Unë dhe mjaft kolegë të mij kemi mjaft kohë që po interesohemi, po punojmë, po bëjmë një presion masmedias, opinionit publik, pikërisht për një rrugë liberalizimi, modernizimi, europianizimi të mëtejshëm të PD, rrugë në të cilën ne kemi arritur unë mendoj disa gjera, së pari pjesmarrjen në Parlament. Së dyti, tashmë kanë filluar që njerëzit të shprehin hapur mendimet e tyre për domosdoshmërinë e ndryshimeve në PD. Në lidhje me problemin e fraksionit, grupimit apo alternativës, ai është një element në këtë rrugë zhvillimesh të PD, një element i domosdoshëm për alternativa brenda programit tonë, ai është një hap në këtë zhvillim që ne po bëjmë për të cilin padyshim unë kam bindjet e mia, bindje që i kam shprehur prej kohësh dhe që do të vazhdoj t’i shpreh. Une mendimet e mia i kam shprehur masmedias, i kam shprehur në forumet drejtuese të PD, kam ndjekur rrugën time. Në lidhje me problemet që unë do të diskutoj në Kongresin e ardhshëm këto janë probleme që më takojnë mua dhe nuk mund të vendosi askush se për çfarë unë diskutoj atje dhe çfarë unë do të shpreh atje”.


Gazetarja:- A keni një plan projekt të fraksionit dhe cilët njerëz bëjnë pjesë në këtë fraksion?

Tritan Shehu, deputet i PD:- “Unë them se nuk shtrohet problemi tek njerëzit, problemi shtrohet tek idetë. Problemi është që rreth mendimeve, ideve për liberalizimin e mëtejshëm të PD, ideve të një emancipimi të mëtejshëm të PD, ide që tashti kanë filluar të pranohen qoftë dhe me fjalë dhe nga drejtuesit më të lartë të PD, kur vetëm pak kohë përpara këto ishin një herezi për brenda PD, janë një hap pozitiv. Unë them se rreth këtyre ideve të grumbullohen ata që mendojnë në këtë mënyrë, pra duhet të grumbullohen mendimet të cilat më në fund mund të kristalizojnë lëvizje të ndryshme brenda PD, alternativa brenda programit të saj. Por nuk është problemi për të grumbulluar njerëz rreth njerëzve. Problemi është për të grumbulluar ide, platforma rreth ideve, mendimeve, pikërisht për emancipimin, zhvillimin e mëtejshëm të PD. Unë këtë e konsideroj një koncept demokratik dhe jo idenë e kërkimit të grumbullimit të njerëzve siç përpiqet ta transformoje dikush me qëllim për të zhvlerësuar këtë lëvizje emancipuese që ka filluar sot në PD”.

Gazetarja:- Mendoni se ka qenë e sinqertë nga ana e liderit demokrat Berisha, njohja e një fraksioni të tillë?

Tritan Shehu, deputet i PD:- “Unë nuk dua të paragjykoj kërkënd, por unë dua të them se gjithmonë kur merren kthesa të fuqishme në politikë duhet të argumentohen ato, duhet bërë analizë e asaj gjëje qënuk ka shkuar përpara, duhet paguar nje çmim nga ata të cilët kanë ndjekur një rrugë të gabuar deri më sot. Kjo i ben të besueshme kthesat në politike”.

Gazetarja:- A keni pasur presion gjatë gjithë kësaj kohe për idete tuaja të shfaqura publikisht në media?

Tritan Shehu, deputet i PD:- “Jo nuk kam pasur presion. Unë kam shfaqur mendimet e mia do të vazhdoj të shfaq mendimet e mia dhe nuk me interesojnë aspak as ndonjë formë e ndryshme kufizimesh në të drejtat e mia siç u bë në Kongresin e Jashtëzakonshëm ku mua mu kufizua e drejta e fjalës në shprehjen e mendimeve të mia. Por në përgjithesi unë jam i kënaqur sepse shoh që ato mendime që mjaft nga ne në PD kemi dy vjet që i shprehim, tashmë po imponohen dhe po gjejnë rrugë të hapur në mjaft nivele të PD që nuk i kanë pranuar deri dje”.

Gazetarja:- Si e shpjegoni ju ndryshimin?

Tritan Shehu, deputet i PD:- “Unë ndryshimin e shpjegoj nga sensibilizimi i opinionit të brendshem, nga presioni që po realizohet nga brenda PD, nga sensibilizimi dhe maturimi i mëtejshëm i opinionit publik shqiptar, nga presioni i opinionit ndërkombëtar, pikërisht për domosdoshmërinë e një modernizimi dhe nje emancipimi të mëtejshëm të forcave politike në tërësi në Shqipëri, ku bën pjesë padyshim dhe Partia Demokratike”./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego