Simon Simoni është i sakrifikuari i trajnerit Sylvinho në listën përfundimtare të kampionatit Europian. Portieri i katërt në ranglistën e kuqezinjve nuk ka fituar besimin e teknikut, duke mos pasur mundësi për të qenë pjesë e finaleve të kompeticionit të kësaj vere.

Seanca e fundit stërvitore në qendrën stërvitore në Austri ka vendosur edhe pikat mbi “I” në dyshimet e Sylvinhos. Ashtu siç edhe pritej në fakt, i larguari do të ishte një prej portierëve, pasi UEFA kërkon të paktën tre gardian në dispozicion për turnet e saj.

Pavarësisht se nuk do të ketë mundësi të japë kontributin e tij në fushë portieri Simoni do të qëndrojë me ekipin në kampin bazë në Gjermani në mbështetje të kuqezinjve në Kampionatin Europian 2024. Tre portierë, 9 mbrojtës, 8 mesfushorë, mes të cilëve i talentuari, Medon Berisha dhe 6 sulmues do të jenë në dispozicion të teknikut brazilian dhe stafit të tij.

Për herë të dytë në një kampionat Europian do luajnë Etrit Berisha, Elseid Hysaj, Arlind Ajeti dhe Amir Abrashi, duke konfirmuar se kuqezinjtë bazohen edhe tek veteranët për të shkruar një faqe të re në historinë e futbollit tonë.

Ndeshja e parë për kuqezinjtë do të jetë më 15 qershor në Signal Iduna Park të Dortmundit përballë Italisë. Kundërshtarët e tjerë në Grupin B janë Spanja dhe Kroacia. Të 51 ndeshjet e Euro2024 do të keni mundësi për t’i ndjekur ekskluzivisht në TV Klan.

Klan News