Merren të dhënat nga OSHEEE, Drejtoria e Transportit dhe Kadastra

Tatimet do të fillojnë të përdorin mënyra të reja kontrolli për bizneset, duke shmangur vizitat në terren e duke aktivizuar metoda të cilat tregojnë në mënyrë të tërthortë rastet se kur një biznes fsheh të ardhurat.

Në fund të muajit mars drejtoria e tatimeve do të marrë të gjithë të dhënat nga kompania e shpërndarjes së energjisë OSHEE dhe do të shohë pagesat e energjisë elektrike nga ana e bizneseve, çka do të hedhë dritë nëse kompania shpenzon shumë për energji elektrike, por rezulton biznes i vogël, ose nëse ata janë të regjistruar si subjekte në OSHEE por jo në tatime.

Njëkohësisht me këto të dhëna tatimet do të mbledhin informacione edhe nga drejtoria e Transportit Publik për të parë sasinë e mjeteve që kompani të caktuara kanë në pronësi e po ashtu do të merret informacion nga Agjencia e Kadastrës për gjendjen e pasurisë në prona të patundshme të firmës apo individit.

Prej më shumë se një muaji tatimet rinisën aksionin anti-iformalitet ndaj bizneseve të parregullt, ku ka rezultuar se  20% e kompanive janë gjetur në shkelje, një tregues i përmirësuar ky krahasuar me periudhën e verës, ku në gjysmën e kontrolleve konstatoheshin parregullsi.

Të ardhurat nga tatimet e doganat për janarin e këtij viti rezultuan po ashtu me rritje kundrejt një viti më parë.

Tv Klan