Të paktën 14 qytetarë jordanezë kanë ndërruar jetë gjatë pelegrinazhit të Haxhit në Arabinë Saudite për shkak të nxehtësisë së madhe.

Ministria e Jashtme e Jordanisë deklaroi se 14 shtetasit e saj kishin humbur jetën pasi pësuan goditje nga dielli për shkak të valës ekstreme të të nxehtit, ndërkohë që 17 të tjerë raportohen të zhdukur. Zyrtarët jordanezë thanë se kërkimet po vazhdojnë për të zhdukurit.

Në një njoftim zyrtar, ministria tha se po koordinohej me autoritetet saudite për procedurat në lidhje me varrosjen ose transportimin e trupave të të ndjerëve, sipas asaj që kërkojnë familjarët e tyre. Temperaturat tejkaluan 46 gradë Celsius këtë javë, duke i bërë shumë nga ritualet që kryhen jashtë dhe në këmbë sfiduese, veçanërisht për të moshuarit.

“Klima e pritshme për Haxhin këtë vit do të sjellë një rritje të temperaturave mesatare prej 1.5 deri në 2 gradë Celsius mbi normalen në Mekë dhe Medinë”, deklaroi kreu i qendrës kombëtare të meteorologjisë saudite, Ayman Ghulam. Dy qytetet janë në qendër të pelegrinazhit pesëditor të Haxhit.

Zyrtarët sauditë thonë se si pjesë e masave për përballimin e nxehtësisë, ata kanë ngritur shumë zona për t’u freskuar. Ata shpërndajnë ujë dhe ofrojnë këshilla për pelegrinët se si të mbrohen nga dielli.

Në një deklaratë, ministria saudite e shëndetësisë u kërkoi pelegrinëve që të qëndrojnë të hidratuar dhe të shmangin qëndimin jashtë në orët më të nxehta të ditës, midis orës 10:00 dhe 16:00.

Haxhi është një nga tubimet masive më të mëdha në botë. Sipas zyrtarëve sauditë, më shumë se 1.8 milionë pelegrinë po marrin pjesë këtë vit./tvklan.al