Një ditë mbas takimit formal mes Presidentit të Republikës Bamir Topi dhe kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, kjo e fundit ka deklaruar nga Shkodra se ngërçi i krijuar për kalimin në Kuvend të 5 dekreteve të presidentit do të marrë fund pas shqyrtimit të kandidaturave në Komisionin e Ligjeve.

Kryetarja e Kuvendit është gjendur në qytetin verior në kuadër të vizitës së delegacionit austriak të kryesuar nga zv/presidenti i asamblesë parlamentare të OSBE-s dhe njëkohësisht kryetari i grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-Austri, Volfang Grosbruch.

Jozefina Topalli: “Ka fillu në Komisionin e Ligjeve, shqyrtimi i bazuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që i jep Kuvendit të drejtën për ta parë jo vetëm në këndvështrimin e rregullshmërisë ligjore, por edhe në thelb dhe në meritën e emërimit”.

Sipas saj vonesat e krijuara në shqyrtimin e dekreteve të presidentit në Kuvendin e Shqipërisë, janë në koherencë të plotë me procedurat ligjore dhe kushtetuese.

Jozefina Topalli: “Ka një vullnet për të respektu kushtetutën, për të respektu vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Është Kuvendi institucioni themelor por gjithnjë që funksionon mbështetur në parimin e Check and balance, por ky parim është i rëndësishëm që të respektohet nga të gjitha institucionet”.

Projektet austriake për ndërtimin e banesave sociale dhe shkollës profesionale në Shkodër kanë qenë në qendër te takimit me autoritet lokale të qytetit, ndërkohë që bashkia ka akorduar titullin “Qytetar Nderi” për kreun e delegacionit austriak./tvklan.al

Gazetar: Simon Shkreli