“Destinacion ideal për një fundjavë ndryshe”

Kryeqendra e Shqipërisë ka marrë këtë herë gjithë vëmendjen e prestigjiozes italiane “Vanity Fair.”

Tirana sugjerohet si destinacioni ideal për një fundjavë ndryshe.

Për ta bërë më të prekshëm këtë, në artikull renditen 10 arsye të mira se pse duhet shkuar me pushime në Tiranë.

Ndër to janë afërsia me Italinë, çmimet e favorshme, klima mesdhetare dhe afërsia me detin, muzetë origjinalë, arkitektura, natyra e pasur përreth apo dhe fakti që ka një nga kuzhinat më të mira në Evropën Jugore.

Tirana përshkruhet nga “Vanity Fair” si një qytet me përzierje unike të arkitekturës.

“Ka pak kryeqytete në Evropë ku brenda pak metrash mund të gjesh një kishë katolike, një kishë ortodokse dhe një xhami”, shkruhet ndër të tjera në artikull.

Gastronomia me gatimet tipike jepet si një arsye e mirë ta vizituar, shoqëruar edhe me çmimet ende të lira krahasuar këto me rajonin.

Po ashtu Tirana sugjerohet si qyteti ku turistët mund të akomodohen për disa ditë për t’i shpëtuar turmave dhe stresit.

Këtij shkrimi që e cilëson kryeqytetin një surprizë për pushime, i ka bërë jehonë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili e ka shpërndarë atë në rrjetet sociale.

Tv Klan