Të gjitha supermarketet dhe fasoneritë që i hedhin mbetjet në koshat për mbeturinat familjare, do të gjobiten. Deklarata u bë nga kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë inspektimit të punimeve për rindërtimin e shkollës 9-vjeçare “Avni Rustemi”.

“Kemi ngritur një task-forcë bashkë me Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake, Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit dhe inspektorët e higjienës në terren, dhe do të jemi vërtet të rreptë, sidomos me supermarketet, me ata që hedhin mbeturinat e lëndës së parë nëpër fasoneri, me ato që kanë restorante dhe ushqimin organik i hedhin te kazani i lagjes. Na duhet bashkëjetesë dhe aty ku bashkëjetesa nuk bëhet me hir, do të bëhet me pahir dhe me organet ligjzbatuese”.

Sipas Veliajt për shkak të dyfishimit të mbeturinave nga fluksi i madh i turistëve që po vizitojnë kryeqytetin, në kryeqytet ka nisur një aksion pastrimi.

“Është dyfishuar numri i mbeturinave në qytet dhe kjo është më se normale sepse ka shumë turistë që konsumojnë, qoftë në koshat e lagjeve, qoftë edhe në koshat e rrugëve. Ne turizmin patjetër që e duam, kështu që do të dyfishojmë shërbimin dhe do të shtojmë shumë njerëz dhe mjete në terren, por nga ana tjetër Nuk i kushton asgjë supermarketeve që t’i paketojnë kutitë. Një kuti e cila është 100 kg ose 150 kg, si volum zë praktikisht gjysmën e një kazani dhe i detyron mbetjet e tjera që të derdhen jashtë.”

Veliaj u ndal edhe tek investimet në zonat periferike, për të cilat tha se në zonat të cilat kanë qenë isha komuna të cilat nuk kanë parashikuar hapësira për kopshte apo çerdhe, bashkia do të aplikojë një sistem tjetër qiramarrje.

Tv Klan