Ky sezon veror ka mbushur qytetin e  Vlorës me turistë të shumtë. Vizitorët janë nga të gjitha kontinentet dhe një ndër pikat më të rëndësishme mbetet qendra e qytetit dhe plazhi në ” Lungo Mare”.

Në këtë zonë gjen pushues të shumtë qofshin të huaj, shqiptarë të Kosovës apo vendas.

Çmimet e lira dhe plazhet publike që shtrihen përgjatë  qytetit të Vlorës u japin mundësinë çdo pushuesi të shijojë detin dhe pastërtinë në bregdet  e cila këtë vit është e dukshme.

“Është shumë bukur, fantastike, kemin qenë edhe në Ksamil. Kemi vizituar Ksamilin, Dhërminë, Himarën dhe u vendosëm këtu që të shikojmë shtëpinë e Ismail Qemalit,” tha një pushues nga Kosova.

“Ne kemi qenë edhe vjet, sivjet është shumë ndryshe. Ka turistë dhe janë marrë masat, ka me bollkat vend që të vijmë për plazh,” tha një tjetër pushues.

“Kam blerë një shtëpi këtu edhe për 5 muaj rri këtu, muajt e tjerë jam në Tiranë,” tha një pushuese.

“Është një vend shumë i bukur, njerëzit janë të mrekullueshëm. Është hera e parë që vij këtu dhe do të qëndroj 7 ditë,” tha një turiste.

Për operatorët turistikë të Vlorës ky sezon është i paparashikuar për ta, për shkak të numrit të lartë të të huajve. Kapacitetet momentalisht janë të përballueshme deri në Qershor, por për Korrikun dhe Gushtin do të shihet zgjerimi i tyre.

Luixhino Isufaj, operator turistik: Jo si vitet e tjera, nuk kemi vetëm turistë italianë, por kemi një turizëm internacional, vijnë edhe amerikanë. Janë turistë shumë të mirë konsumatorë dhe nga vendet dhe shtetet e tjera. Momentalisht Vlora ka kapacitet për të pritur turistët, por sa fillon ngushtohet turizmi në Korrik dhe Gusht, atëherë jo. Normalisht edhe ne mendojmë që të shtojmë kapacitetin sepse me këtë lloj kapaciteti e kemi të pamundur ta përballojmë.

Vlora i ka të gjitha atraksionet turistike dhe veçanërisht vizitohen te dy detet që lagin brigjet e saj Adriatiku dhe Joni.

Qyteti mbetet qendra e tërheqjes për çdo turist.

Klan News