Dakordësi për rregulloren, emërohet edhe sekretari

Zhvillohet këtë të premte mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit. Edhe pse me tone më të qeta, sërish ka pasur debate mes deputetëve derisa u zgjodh rregullorja që duhet të ndiqet për komisionin. Partia Demokratike kishte dy propozime nga rregulloret e përdorura në Komisionet Hetimore të mëparshme.

“Kam zgjedhur dy rregullore nga protokolli i administratës. Një me firmë të Taulant Ballës dhe një me firmë të Edmond Spahos. Zgjidhni edhe të ecet përpara. Nuk është serioze, që të merremi, kemi 6 mbledhje, merremi me nenin 1 dhe 2 të rregulloren e komisionit. Kemi mbledhje dhe s’po zgjedhim sekretarit. Ju ftoj me shumë sinqeritet të ecim përpara me mirëkuptim të paktën për këto 2 pika”, tha Bardhi.

Dhe përgjigja e socialistëve ishte zgjedhja e rregullores e firmosur nga Edmond Spaho.  

Toni Gogu: Jemi plotësisht dakord që rregulloret e mëparshme të Kuvendit që kanë drejtpeshuar këtë mekanizëm hetues të komisionit të mundet të vazhdojme me shqyrtimin e njëri prej atyre. Meqenëse bëtë një gjest kalorësiak dhe një provë të drejtimit të matur ne jemi dakord që të  marrim në shqyrtim rregulloren që ka firmosur zoti Spaho.

Enkelejd Alibeaj: Ne traditë më të mirë të komisioneve hetimore parlamentare, kemi arritur në një diskutim me zotin Gogu që të operojmë në këtë mënyrë, të gjejmë, të qëmtojmë në komisionet e mëparshme aktet me të cilat janë miratuar rregulloret e atyre komisioneve për të hequr çdo lloj dyshimi për futje rregulla rishtaz që për këto mund të ngrinin hije dyshimi. Kemi arritur në një gjuhë të përbashkët që për të paktën dy komisionet pothuajse të fundit hetimore, të dy janë ngritur në vitin 2016, kanë qenë komisione që i referoheshin veprimtarisë hetimore për privatizimin e CEZ-it, njëri i miratuar prej zotit Spaho dhe një prej Ballës. Nuk është habi që këto rregullore janë të njëjta, deri në germë, deri në presje. Është e udhës që të marrim njërën prej tyre. E pranoj që po kjo është një mënyrë për të vepruar, që të gjejmë rregulla që ruajnë autoritetin e ligjit. Rregulloret do të administrohen dhe zbardhen sipas tekstit që është administruar.

Nasip Naço: Për të vazhduar nen për nen do donim një draft që të vazhdojmë.

Enkelejd Alibeaj: Ta hedhim në parim. Ecim me votimin në parim dhe pastaj nen për nen, përmbajtja kjo është, do të zbardhet nga sekretaria.

Më pas kjo rregullore u miratua në parim në tërësi dhe nen për nen me votat pro të të gjithë anëtarëve.

Po ashtu në këtë mbledhje u emërua edhe sekretari i Komisionit, i cili ka qenë temë debati më përpara mes deputetëve. Në këtë mënyrë u zgjodh si sekretar i Komisionit, Klevis Xhoxhi./tvklan.al