Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në lagjen “Ndoc Mazi” të Shkodrës në një treg me rroba të përdorura sot në orën 18:55. Nga flakët janë krijuar shtëllunga gjigante tymi që kanë mbuluar qytetin verior.

Me qëllim evakuimin e banorëve dhe krijimin e perimetrit të sigurisë, të gjitha shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër, janë angazhuar maksimalisht dhe ndërkohë po ndihmojnë zjarrfikësit për të vënë nën kontroll flakët e zjarrit në tregun me rroba të përdorura.

Njëkohësisht në ndihmë të zjarrfikësve të Shkodrës po shkojnë dhe zjarrfikësit e Vaut të Dejës dhe Ulqinit. Shërbimet e Policisë kanë evakuuar të gjithë banorët dhe kanë vendosur perimetrin e sigurisë. Po vijon intensivisht puna për shuarjen e zjarrit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e shkakut të rënies së zjarrit./tvklan.al