Humbja në sfidën e fundi me “Grupin e ferrit” me Spanjën i dha fund edhe rrugëtimit të kombëtares sonë kuqezi për këtë Euro2024. Rezultati 1-0 për spanjollët bëri që ekipi jonë të mos merrte pikët e mjaftueshme për t’u kualifikuar në fazën e grupeve. Megjithatë kjo nuk demoralizoi futbollistët e aq më tepër tifozët të cilët në tre ndeshjet e kombëtares shqiptare “pushtuan” rrugët e Gjermanisë me këngë patriotike dhe brohorima në mbështetje të skuadrës së tyre të zemrës.

Kjo ndeshje ka qenë në qendër të opinionit publik për vetë faktin që futbollistët kuqezi bënë maksimumin e tyre në fushën e blertë, nga ku nuk munguan as përpjekjet e vazhdueshme për të shënuar gol.

Ish-kapiteni i kombëtares, Altin Lala në një intervistë për Klan News u shpreh se Shqipëria pati shumë shanse që të barazonte dhe pse jo të fitonte në sfidën me Spanjën. Gjatë fjalës së tij ai shtoi gjithashtu se performanca e ekipit tonë i kaloi të gjitha pritshëmritë dhe se nuk duhet të harrojmë se Spanja është një nga skuadrat më të forta në këtë Europian, duke u cilësuar si një skuadër pretendonte e cila synon të fitojë titullin kampion.

“Shanset ishin aty faktikisht, duke parë që ne të gjithë nuk e dinim se çfarë do të ndodhte se çfarë formacioni do të kishte. Vetëm spekuluam që Spanja me shumë ngjasë do të fuste më tepër lojtarë që nuk janë aktivizuar dhe ata ishin 9 ose 10. Shanset i patëm, pavarësisht se Spanja edhe me ekipin e dytë është një ekip jashtëzakonisht i mirë dhe ka kualitete të larta, por disa shanse të vogla i kishim dje, për të marrë ndoshta një pikë, por edhe fitoren. Mund të ishte një opsion pak i vështirë, por i mundshëm. Dje që nga minuta e parë skuadra ishte si në ndeshjen me Kroacinë që dha një sinjal që nuk do të kthehej mbrapa. U munduan, por është shumë e vështirë që t’i bësh presion Spanjës. U munduan që nga fillimi që të japin ato sinjalet e tyre dhe për ato mundësi që kemi  përsëri ndeshja ishte pozitive, pavarësisht humbej. Luajtëm përpara, patëm edhe shanset tona faktikisht të cilët nuk mundëm të shënonim.

Spanja është ekip pretendent me Gjermaninë në këtë kampionat dhe mënyra se si spanjollët luajnë është shumë e vështirë që t’u bësh presing dhe t’ua marrësh topin shumë shpejt. Jo më kot ata kanë mbajtjen e topit më shumë se çdo kombëtare tjetër. Ata janë një ekip shumë i mirë dhe shumë i vështirë që të bësh një lojë tjetër. Në pjesën e dytë patëm shanset tona edhe me ndërrimin e Brojës. Më erdhi keq për Rey Manaj që nuk e gjeti veten dje fare sepse nuk fitoi asnjë duel sikundër Kroacisë që ishte faktor.  

Ky lloj Kampionati Europian ku ne na ra edhe grupi më i vështirë, i kaloi pritshmëritë e mia në anën pozitive, sepse Spanja fitoi me Kroacinë 3-0 mund të fitonte me ne edhe me një rezultat më të lartë. 1-0 është një rezultat që edhe mund ta kthesh. Në fund të ditës Spanjës nuk iu desh me doemos fitorja kështu që dhe ekipi dje ishte më i relaksuar nuk ishte i impresionuar siç kanë patur skuadrat e tjera ndaj Spanjës. Kështu që ne vetëm 1-0 humbëm pavarësisht se është një ekip i dytë patëm përsëri shanset edhe të barazonim ndeshjen. Kështu që në fund të ditës unë jam jashtëzakonisht i kënaqur me gjithçka që ne ishim pjesë e këtij evropiani,” tha ish-kapiteni i kombëtares Altin Lala.

/tvklan.al