Nga Janari deri në muajin Mars, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu i brendshëm 32.60 milionë Euro, e gjitha kjo për efekt të rezervës valutore.

Sipas të dhënave nga banka qëndrore, për gjenerimin e kësaj shumë janë zhvilluar tre ankande, njëri prej të cilëve ka qenë me opsionin SPOT.

Banka njofton se në ankandin e fundit të zhvilluar në muajin Mars u regjistrua një pjesëmarrje mjaft e ulët. Në këtë ankand u blenë 5.8 milionë Euro, ndërkohë që shuma e blerë në dy ankandet e tjera mbetet rreth mesatares së vitit 2023.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2024, Ministria e Financave ka rritur shumën e marrëveshjeve SWAP me 25 miliardë Lekë, ndërkohë që i ka shitur Bankës së Shqipërisë 60 milionë Euro me kursin 102.60 Lekë.

Kjo shitje është realizuar me qëllim financimin e shpenzimeve të rritura për llogari të vitit 2023.

Duke parë rritjen e likuiditetit në llogaritë e qeverisë në fund të tremujorit dhe në vijim, Ministria e Financave pritet të maturojë të gjitha marrëveshjet SWAP me Bankën e Shqipërisë në tremujorin e dytë.

Ndër veprimet e tjera, vlen të përmendet blerja e 2.2 milionë Eurove nga Ministria e Financave në kuadër të fondeve të programit IPA.

Tv Klan