Shqipëria ka fituar arbitrazhin me kompaninë Bankers Petroleum, që kërkonte të mbante të gjitha shumat e gjeneruara nga prodhimi i fushës së Patos Marinzës me anë të procedurës së rikuperimit të kostove të vitit 2004.

Gjykata Ndërkombëtare që vepron nën Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë me seli në Paris ka dhënë vendimin përfundimtar për mosmarrëveshjen e ngritur nga Bankers Petroleum kundër Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë (MIE) dhe Albpetrol, sipas së cilës mbi 236 milionë Dollarë nga kostot e pretenduara nga Bankers janë refuzuar dhe deklaruar të parikuperueshme.

Rezultati i mosmarrëveshjes është se Bankers do të duhet t’i kthejë Shqipërisë shuma për llogari të fushës naftëmbajtëse të Patos Marinzës. Kjo do të rrisë fitimet historike të fushës së naftës dhe do të çojë në pagesa të tatimit mbi fitimin ndaj shtetit.

Gjykata doli në përfundimin se gjithashtu nuk mund të pretendoheshin as kostot e kundërshtuara që ishin bërë, të tilla si investimet në marrëdhëniet me komunitetin që kane qenë të ekzagjeruara ose pagesat për qiratë e tokës.

Tv Klan