Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Miratimi i projektvendimit të taksave vendore nga përfaqësuesit e këshillit bashkiak, i ka hapur rrugën biznesmenëve të vegjël të kryeqytetit, për rinovimin e licencave tregtare. Në sportelet e ndërmarrjes së tregjeve dhe taksave, kanë nisur pagesat për detyrimet ndërkohë që radhët sa vijnë dhe shtohen.

Gjatë një konferencë për shtyp, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Mimi Kodheli, përshëndeti projektvendimin e miratuar ku mbeteshin të bllokuar, më shumë se 12 mijë subjekte private, për rinovimin e licencave të tyre. Ndërsa përfaqësuesit opozitarë të këshillit bashkiak janë shprehur se ende nuk e kanë marrë projektvendimin e miratuar, nënkryetarja Kodheli tha:

Mimi Kodheli:- “Anëtarët që nuk e kanë firmosur, këshilltarët që nuk e kanë firmosur, mendimin dhe votën e tyre e kanë shprehur më shumë se sa një herë gjatë gjithë mbledhjeve të radhës, që ne kemi pasur. Ritheksojë edhe një herë, se bllokimi i këtij procesi, mosmiratimi i projektvendimit të sistemit të taksave, në thelb nuk kishte asnjë argument profesional. Ai ishte, thjesht mishëronte një interes politik dhe destruktiv, për gjithë jetën e qytetit tonë. Unë ftojë të gjitha bizneset e vogla, që të drejtohen pranë sporteleve tona, në mënyrë që të fillojnë aktivitetin e tyre normal për këtë vit fiskal”.

Afati përfundimtar i pagesave të taksave vendore, deri në rinovim të licencës është data 31 Mars. Burime pranë bashkisë së Tiranës kanë deklaruar, se gjatë këtyre ditëve do të punohet jo vetëm me orar të zgjatur, por edhe gjatë ditëve të pushimit, për shkak të fluksit të madh të subjekteve./tvklan.al

Gazetare – Eva Paja