Kush është europian? Kështu e ka titulluar gazetari Blendi Fevziu një video të tij të publikuar në rrjetet sociale.

Këtë të mërkurë ai ishte në emisionin “Kampionët” në Tv Klan ku tregoi pikërisht për mënyrën se si shqiptarët janë sjellë gjatë kampionatit europian në Gjermani.

Ai tha se e bëri videon pas atmosferës që tifozët kanë bërë në Euro 2024, por edhe 8 vite më parë, në Francë më 2016-ën.

“Gazeta më e madhe franceze atë kohë, France Football, shkroi shqiptari mban me vete jo shishen e birrës, por gruan që e gjuante një gjë të rrallë duke i referuar tifozëve britanikë apo të tjerëve që janë gjithmonë problematikë”, tha Fevziu.

Sa i përket sjelljes së shqiptarëve, Fevziu tha në studio se zyrtarë të lartë të UEFA-s, por edhe njerëz të zakonshëm në Dortmund i kanë thënë se ajo që ka ndodhur me shqiptarët nuk ka ndodhur në qytet ndonjëherë.  

“Rrallë mund të gjesh një tifozëri të këtyre përmasave. Në Dortmund mua po më thoshin personat përgjegjës qoftë edhe të niveleve shumë të larta të UEFA-s që më qëlloi të isha ulur afër, qoftë edhe njerëz më të zakonshëm që kjo që ka ndodhur me shqiptarët nuk ka ndodhur në Dortmund ndonjëherë. Çdo njeri që shërbente në dyqane ishte i kënaqur me mënyrën si komportoheshin, me harenë që kishin. Bënë fotografi me policët, i vunë të kërcejnë dhe policët. U nisën drejt stadiumit trefishi i kapaciteteve të stadiumit. Bënë tifozllëk dhe u kryen prapë në fan zonë. Shkuan me fëmijët, pra e konsideronin si një lloj feste dhe pyetja thelbësore është se kush është europiani? Ne na kanë paragjykuar”, tha Fevziu.

Ai solli në pah edhe detajin se një ditë pas Shqipërisë luajti edhe Serbia e Anglia të cilat u karakterizuan nga akte dhune. Prandaj për Fevziun lind një pyetje.  

“Kush janë europianë tani? Jemi ne europianë, apo janë këta që djegin qytetet, përmbysin rrugët, makinat e policisë? Kush e dallon europianin? Kush janë cilësitë e europianit”, pyeti ai./tvklan.al