Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, me një lëvizje të papritur i kërkoi mbretit Charles III që të shpërndajë parlamentin, duke i hapur kështu rrugë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Të mërkurën Rishi Sunak thirri në mënyrë urgjente ministrat e kabinetit të tij për t’i komunikuar vendimin.

Ministri i Jashtëm, David Cameron, sipas BBC, u detyrua të ndërpriste menjëherë vizitën që po zhvillonte në Shqipëri, ndërsa Ministri i Mbrojtjes shtyu një vizitë zyrtare. Pas takimit të ministrave, Sunak në deklaratë publike për median bëri të ditur dhe datën zgjedhjeve, gjashtë muaj përpara afatit ligjor.

“Mbreti e ka plotësuar këtë kërkesë dhe ne do të kemi zgjedhje të përgjithshme më 4 korrik. Tani është momenti që Britania të zgjedhë të ardhmen e saj dhe të vendosë nëse duam të ndërtojmë përparimin ose rrezikojmë të kthehemi në prapa pa plan dhe pa siguri”, tha kryeministri britanik.

Sunak ka bërë të ditur se do të jetë ai që do të udhëheqë konservatorët në zgjedhje dhe theksoi se një qeveri konservatore e udhëhequr nga ai nuk do të rrezikojë stabilitetin ekonomik. Konservatorët prej 14 vitesh në pushtet, sipas sondazheve, janë 20 pikë prapa laburistëve që udhëhiqen nga Keir Starmer. Vetë lideri i opozitës reagoi menjëherë me anë të një video ku tha se është koha për ndryshim.

Tv Klan