Është zhvilluar këtë të mërkurë mbledhja e grupit të dialogut për votën e diasporës. Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike tha se objektivi final i mazhorancës është që ta pengojë këtë proces.

“Ajo që pamë sot dhe që gjithsesi është shqetësuese janë përpjekjet e mazhorancës për ta bërë qesharake propozimet, çështjet, idetë, ose për t’i bërë të duken të pamundura. Objektivi final është si të pengohet në fund sërish vota e emigrantëve në vitin 2025”, tha ai.

Sa i përket dy alternativave të ofruara nga KQZ, zgjedhja me postë apo votimi elektronik, ai tha se nuk ka dakordësi. Secili opsion që do të vendoset sipas tij duhet që institucioni që do ta zbatojë atë të jetë i besueshëm.

Bylykbashi theksoi se palët kanë për detyrë sot për sot që të zgjidhin votën e emigrantëve.

“Ajo që kemi për detyrë për të zgjidhur sot është vota e personave që jetojnë jashtë Shqipërisë. Ekziston një grup i vogël zgjedhësish që kanë pamundësi. Kjo nuk është detyra e diskutimit për sot. Sot kemi për detyrë të zgjidhim një sërë çështjesh që burojnë nga rekomandimet e OSBE-ODIHR. Shumica dërrmuese e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë sot e kanë të drejtën e votës thjesht në letër dhe të pamundur për shkak të bllokimit të çdo procesi nga qeveria. Shpresojmë të gjejmë një zgjidhje dhe kjo të jetë e thjeshtë”, tha Bylykbashi./tvklan.al