Kur kanë mbetur edhe pak javë nga përfundimi i sezonit 2023-2024 në disa nga kampionatet më të rëndësishme në Europë dhe jo vetëm, legjionarët kuqezi vijojnë të japin më të mirën e tyre në klubet ku aktivizohen. Sokol Cikalleshi u rikthye te goli në kampionat me skuadrën e Konyaspor, që triumfoi 3-0 në sfidën e fundjavës ndaj Samsunspor. Sulmuesi i Kombëtares Kuqezi realizoi me kokë në minutën e 38-të, duke vulosur fitoren e Konyaspor. Për Cikalleshin ky ishte goli i 12-të në kampionat, teksa numëron edhe pesë asiste.

Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, po kalon një moment fantastik në karrierën e tij, teksa po shkëlqen me Atalantën. Kundër Romës, Atalanta regjistroi fitoren e radhës me rezultatin 2-1, ndërsa Gjimshiti sërish u vlerësua më i miri në mbrojtje, duke regjistruar një tjetër paraqitje dinjitoze.

Lajm i keq për Myrto Uzunin që dështoi për të qëndruar në elitën e futbollit spanjoll me Granadën e tij. Ndërkaq, Marash Kumbulla, titullar me Sassuolën, gaboi koordinatat dhe shkaktoi autogol për t’i sjellë humbjen ndaj Xhenoas. Kontributin e tyre si zëvendësues e dhanë Keidi Bare, Nedim Bajrami, Armando Broja, Arbër Hoxha, kampion në Kroaci me Dinamon e Zagrebit dhe Arbnor Muja.

Klan News