Teksa vlerësoi pozitivisht ekipin e Kombëtares për lojën me Kroacinë në Euro 2024, ish-trajneri Gianni De Biasi tha fjalët më të mira për Elseid Hysajn. Ky i fundit u gjykua masivisht pas ndeshjes me Italinë për uljen e kokës në momentin që kundërshtarët shënuan golin e dytë.


“Kam parë dhe kam dëgjuar shumë komente, por ju garantoj se ai veprim ishte instiktiv sepse topi u godit me forcë. Të gjithë janë të zotët për komente, po nëse do ishin në atë zonë të gjithë do kishin ulur kokën. Ai është lojtar me guxim, që lë zemrën në fushën e lojës. Mendoj që është vlerësuar e gjykuar keq, por ai e do shumë fanellën e Shqipërisë“, tha De Biasi për Klan News.

Pavarësisht se e sheh Spanjën si rival tejet të fortë, De Biasi ka besim te Shqipëria më 24 Qershor.

“Sylvinho s’ka nevojë për këshillat e mia, ka eksperiencë. Edhe si lojtar, ka luajtur me Manchinin dhe e di si duhet përgatitur për ndeshje të tilla. Nuk është puna ime. Punën time e bëj kur jam në stol. Është trajner i zgjuar. Është ai që merr vendimet për ndeshjet. Të gjithë lojtarët e Spanjës janë të fortë, nuk do t’i dhurojnë asgjë Shqipërisë. Duhet provuar për një gjë të jashtëzakonshme, është qasja, dëshira, zotësia që në fushë e bën diferencën. Të largohen nga fusha e lojës duke dhënë gjithçka, pastaj të duartrokasin kundërshtarin.”

Gianni De Biassi u largua nga drejtimi i Kombëtares në vitin 2016. Ai do mbahet mend gjithmonë si trajneri i parë që kualifikoi Shqipërinë në Kampionatin Evropian.

/tvklan.al