3 me 0 për Barack Obamën, ky është verdikti i sondazheve të rrjeteve të mëdha CBS dhe CNN që i dhanë fitoren senatorit me ngjyrë në përfundim të debatit të tretë dhe të fundit presidencial.

Debati u zhvillua në universitetin Hofstra të New Yorkut dhe u moderua nga veterani CBS Bob Schifer. Që në fillim të tij kandidati republikan për shtëpinë e Bardhë John McCain u hodh menjëherë në sulm ndaj kundërshtarit Barack Obama. Duke e sfiduar atë në politikat ekonomike, gjykimin dhe karakterin e tij.

Për John McCain ka ardhur koha që në Uashington të fryjë në erë e re ndryshimi. Por për Obamën ndryshimi nuk vjen duke ndjekur politikat e presidenti Bush. 

Veterani 72-vjeçar u mbrojt duke thënë se Bush nuk ishte kandidat në këto zgjedhje. Duke shtuar se përsa i përket buxhetit ai do të vepronte ndryshe.

 Çështjet me të diskutuara në këtë përballje të ashpër ishin ekonomia, kujdesi shëndetësor, energjia, aborti, lidershipi e shumë të tjera.  Mes dy rivalëve kishte dallime në fushën e energjisë, në politikat e propozuara për të ndihmuar familje që paguajnë kredi për shtëpi dhe për taksat.

Në 90 minuta emri që u dëgjua më shumë ishte ai i hidraulikut Joe. Një person që Obama kishte takuar në Ohaio dhe që kundërshton planin për shpëtimin e ekonomisë.

Ai është metafora e një amerikani të bardhë, përfaqësues i klasës punëtore, emri i të cili u përsërit disa herë gjatë debatit.

Dy rivalet mbrojtën zgjedhjet e tyre për kandidatët për zëvendës president. Por u sqaruan përciptazi mbi sulmet e ashpra të këtyre ditëve në fushatë. Ku u përmend dhe fakti se në mitingjet e republikanëve janë dëgjuar shpesh thirrjet se Obama është terrorist dhe vriteni atë.

Në fjalën përmbyllëse McCain i tha se popullit se ka kaluar gjithë jetën në shërbim të kombit në paqe dhe luftë

John McCain: “Ka qenë nderi më i madh i jetës time dhe jam krenar që ju kam shërbyer. Shpresoj se do të me jepni mundësinë t’ju shërbej sërish. Do isha u nderuar dhe i përulur.”

Ndërsa Obama premtoi se do të punonte çdo ditë për të ardhmen e Amerikës.

Barack Obama: “Ju premtoj se nëse më jepni nderin e jashtëzakonshëm t’ju shërbej si president, do të punoj çdo ditë në mënyrë të pa lodhur për ju dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë.”

Në fund i ngazëllyer John McCain injoroi gruan e tij Cindy duke u përpjekur të përqafonte bashkëshorten e Barack Obamës, Michele. E cila vetëm pasi uroi të shoqin i dha dorën rivalit republikan.

19 ditë para zgjedhjeve, ky ishte shansi i fundit për John McCain për të ndryshuar trajektoren e deritanishme të garës, por kjo nuk ndodhi. Analistët thonë se McCain ishte në avantazh në pjesën  e parë të debatit, por kur kaloi në sulme personale praktikisht ia dha vetë fitoren Obamës.

CNN  thotë se në këtë pikë senatori me ngjyrë ka përftuar votat e nevojshme për të hyrë në shtëpinë e Bardhë. Debati i transmetua drejtpërdrejt në televizionin Klan në studion e hapur me Sonila Meçon dhe opinionistin Eduard Zaloshnja…./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle