Një letër e rrallë e Franz Kafkës, në të cilën ai i thotë një miku që nuk mund të shkruajë më, ka dalë në ankand 100 vjet pas vdekjes së tij.

Kafka, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të 20-të, i njohur për vepra të tilla si “Gjyqi” dhe “Metamorfoza”, i shkroi letrën poetit dhe botuesit austriak Albert Ehrenstein.

Ai jep përgjigje për një kërkesë të botuesit austriak për të kontribuar në revistën “Die Gefährten”.

“Jemi shumë të privilegjuar që po ofrojmë një letër të mrekullueshme të një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit të 20-të, pikë, Franz Kafka. Dhe është një letër shumë prekëse e shkruar në fund të jetës së tij, ku ai shpreh dëshpërimin e tij për të shkruar përsëri dhe ndjenjat e tij si shkrimtar. Është një letër vërtet interesante dhe domethënëse”, tha Gabriel Heaton, specialist dorëshkrimesh.

Në letrën, e cila është një faqe dhe e shkruar në gjermanisht, romancieri i lindur në Pragë thotë se nuk ka shkruar asgjë për tre vjet.

“Ai po i përgjigjet kërkesës së Ehrenstein për të shkruar një histori për revistën. Dhe ai thotë, në thelb, se dëshpërimi dhe pesimizmi kanë arritur në atë pikë sa nuk mund të shkruajë më dhe është i pashpresë. Pra, është një  deklaratë shumë e fortë, pra fakti që ai artistikisht ka mbaruar. Nuk ka më shkrime prej tij. Ai nuk ka shkruar asgjë të re për tre vjet”, tha Gabriel Heaton.

Besohet se është shkruar rreth periudhës prill-Qershor 1920 nga një sanatorium në Merano në Italinë veriore. Kafka u diagnostikua me tuberkuloz në vitin 1917, gjë që ai nuk e diskuton në letër.

“Ajo që ai nuk thotë në letër është se kjo ka të bëjë me sëmundjen e tuberkulozit. Ai kishte pushuar së shkruari sapo u diagnostikua me sëmundjen, sapo kuptoi se ishte në gjendje kritike, të sëmurë rëndë. Dhe padyshim që ai ishte fizikisht shumë i dobët dhe mund të them me siguri se këtë letër e ka shkruar nga një sanatorium në Itali”, tha Gabriel Heaton.

Në kohën kur u shkrua letra, Kafka kishte nisur gjithashtu një lidhje intensive dashurie me gazetaren dhe shkrimtaren çeke Milena Jesenská.

“Ai ishte larguar nga Praga për disa muaj. Dhe ai po pushonte pasi fizikisht ishte, shumë i dobët. Dhe megjithatë, ai fillon të shkëmbejë letra shumë intensive me Milenën, këtë, dashuri të madhe të viteve të tij të fundit, që do të ndezte krijimtarinë e tij. Pra, edhe pse ai është në dëshpërim, ai është në të vërtetë në prag të një periudhe të fundit të një letërsie të mrekullueshme”, tha Gabriel Heaton.

Shkrimtari luftoi gjatë gjithë jetës së tij të shkurtër me ankthin, mungesën e shpresës dhe izolimin, tema që përcaktuan veprën e tij, por pak dihet për procesin e tij krijues.

“Sa herë që shikon këtë letër dhe lexon “I Juaji Kafka” në krye të letrës sigurisht që kjo e bën të veçantë. Por ajo çfarë është më e rëndësishme është vetë përmbajtja pra fakti që ai shpreh paaftësinë e tij për të krijuar, betejën për të shkruar dhe fakti që ai e shpreh këtë e bën këtë letër shumë të rrallë”, tha Gabriel Heaton.

Kjo letër sipas organizatorëve të ankandit pritet të shitet deri në 114,000 Dollarë.

“Është shumë e rrallë  të shohësh një letër të tillë, për të qenë i sinqertë, nuk mendoj se një letër e kësaj cilësie ka dalë që kur kjo letër është shitur për herë të fundit rreth 15 vjet më parë. Është një gjë vërtet e rrallë. Dhe Kafka është një shkrimtar që tërheq shumë njerëz. Ai është një figurë kaq  e njohur dhe e dashur dhe për këtë arsye mendoj se do të  ketë shumë interes nga, nga një sërë koleksionistësh nga e gjithë bota”, tha Gabriel Heaton.

Pavarësisht se shëndeti i tij fizik vazhdoi të përkeqësohej, ai ishte në gjendje të realizonte dy vepra të fundit , duke përfshirë “Artisti i Urisë ” dhe “Kështjella”.

Të dy këta libra u botuan pas vdekjes, përkatësisht në 1924 dhe 1926  pavarësisht se Kafka kërkoi që dorëshkrimet e tij të pabotuara të asgjësoheshin pas vdekjes së tij.

Megjithëse ai u kërkua nga botuesit avangardë gjatë jetës së tij, vlerësimi më i madh letrar i Kafkës erdhi pas vdekjes.

Veprat e tij, të gjitha të shkruara në gjermanisht, u rizbuluan në Gjermani dhe Austri pas vitit 1945 dhe ai filloi të kishte një ndikim të madh në letërsinë gjermane që u shtri në mbarë botën deri në vitet 1960. Ato janë përshtatur gjerësisht për kinemanë, TV dhe teatër. Ankandi do të zgjasë nga data 26 Qershor deri më 10 Korrik.

Klan News