Trazirat mbërthyen orët e fundit kryeqytetin bolivian La Paz, pas një tentative të dështuar për grusht shteti nga shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, gjenerali Huan Hoze Thunjiga.

Dhjetëra ushtarë nën komandën e tij mësynë papritur në pallatin presidencial në La Paz, në përpjekje për të rrëzuar presidentin majtist anti-perëndimor Luis Arse. Ata bllokuan edhe një prej shesheve kryesore të kryeqytetit të Bolivisë, para presidencës dhe e mbajtën për pak orë të bllokuar. Megjithatë, mijëra njerëz u dyndën në shesh dhe u përleshën me ushtarët, pas thirrjes së presidentit për të mposhtur grushtin e shtetit.

Grushti i shtetit zgjati vetëm pak orë dhe policia ushtarake dhe grupe të tjera të ushtrisë ndërhynë dhe arrestuan gjeneralin Thunjiga e bashkëpunëtorë të tij. Thunjiga tha se u përpoq të nxiste sjelljen e demokracisë në vend, që prej shumë vitesh që nga koha e Evo Moralesit e ka zhytur Bolivinë në diktaturë dhe krizë të vazhdueshme ekonomike. Nga trazirat nuk pati persona të lënduar, ndërsa presidenti i zëvendësoi menjëherë krerët puçistë të ushtrisë.

Tv Klan