Performanca e dobët e presidentit amerikan Joe Biden po krijon kushte që demokratët të mendojnë një lidership të ri.

Megjithëse disa ligjvënës demokratë janë bashkuar në mbështetje të presidentit, duke thënë se një paraqitje e dobët nuk nënkupton fundin e kandidimit, është sidoqoftë teknikisht e mundshme që presidenti të zëvendësohet si kandidat i demokratëve.  Gjetja e një kandidati të ri do të ishte për partinë një proces i vështirë, në rastin më të mirë. Së pari, presidenti Biden duhet të tërhiqet me vullnetin e tij por ai nuk ka treguar shenja për këtë.

Në fakt, disa nga zëvendësuesit e tij kryesorë të mundshëm, Zv.presidenti Kamala Harris dhe Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom, folën në mbrojtje të tij pas debatit, duke treguar mbështetjen e tyre.

Mënyra më e lehtë për demokratët për të zëvendësuar Biden është ta bëjnë këtë në konventën e tyre të Gushtit, veçanërisht nëse ai pranon të largohet.

“Të bësh këtë është kryesisht një çështje e rregullave të partisë dhe ligjit të partisë”, tha Elaine Kamarck, një anëtare e lartë në Institutin Brookings.

“Nuk është në Kushtetutë, nuk është në ligjin e shtetit, nuk është në ligjin federal. Është kryesisht në ligjin partiak,”shprehet ajo.

Sipas rregullave të Partisë Demokrate, delegatët që ka fituar presidenti Biden kanë detyrimin të votojnë për të. Nëse presidenti Biden do të zgjidhte që të tërhiqej, delegatët do të ishin atëherë të lirë të votonin për kë të dëshironin gjatë Konventës Kombëtare Demokrate, të planifikuar të mbahet në 19 Gusht në Çikago, e cila do të shndërrohej kështu në një konventë të hapur.

Përpara se të vendosej sistemi i zgjedhjeve paraprake, konventat ishin të hapura dhe delegatët vinin të merrnin pjesë përgjithësisht të paangazhuar ndaj një kandidati të caktuar. Me një konventë të tillë do të përballeshin demokratët në gusht, me disa kandidatë që do të kërkonin mbështetjen e delegatëve dhe me disa raunde votimesh për të zgjedhur kandidatin.

Në rast se Biden fiton zgjedhjet, por më pas bëhet i paaftë për të drejtuar vendin përpara se të votojë kolegji elektoral më 17 Dhjetor, ka ende një rrugë që demokratët ta zëvendësojnë atë, por këtu gjërat sipas ekspertëve bëhen të ndërlikuara. 

Klan News