3 dronët “Bayraktar” të cilët janë blerë nga shteti shqiptar në Turqi kanë nisur misionin e tyre të parë. Imazhet e para të tyre janë përcjellë edhe nga Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi. Me anë të një postimi në rrjetet sociale Peleshi është shprehur se dronët “Bayraktar” do të shërbejnë për mbikëqyrjen e sigurisë në vend.

“Krenarë të ndajmë sot imazhet e para nga dronët Bayraktar. Këta dronë, teknologjia më e lartë e fluturimeve për misione ushtarake, po rrisin ndjeshëm aftësitë tona të mbikëqyrjes dhe sigurisë. Një hap i madh përpara në mbrojtjen kombëtare.”

Këta dronë janë të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar, ata prej disa muajsh janë në zotërim nga Forcat e Armatosura shqiptare. Sipas informacioneve zyrtare ata do të shërbejnë edhe për monitorimin e territorit dhe imazhet e tyre do të jenë në shërbim të institucioneve të shtetit. Ky është një tjetër hap i rëndësisëshëm në modernizimin e FA të Shqipërisë, në përmbushje të detyrimeve të Aleancës së NATO-s.

Krahas përdorimit ushtarak dronët do të përdoren edhe për zbulimin e parcelave të kanabisit si dhe për të luftuar fenomenin e ndërtimeve pa leje, apo forma të tjera të krimeve mjedisore. Nga ana e Policisë së Shtetit ndërkohë është hartuar një plan me qëllim goditjen e fenomenit të kanabizimit të vendit.

Klan News