Austria u kualifikua për në fazën me eliminim direkt të Euro 2024 pasi fitoi 3-2 kundër Holandës në ndeshjen e 3 të grupit. Austriakët kaluan në avantazh dy herë dhe u barazuan nga tulipanët, por në fund goli i Sabitzer ishte ai me vlerën e 3 pikëve.

Në ndeshjen tjetër të grupit D, Franca nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 me Poloninë e eliminuar nga kompeticioni. Gjelat e zhbllokuan ndeshjen në pjesën e dytë pas një penalltie të ekzekutuar saktësisht nga Mbappe, goli i parë për të në finalet e një Europiani.

Por nuk përfundoi me fitore për Francën, pasi Robert Lewandowski barazoi po nga pika e bardhë, teksa sulmuesi i Barcelonës fillimisht u ndal nga Maignan. Por, penalltia u përsërit dhe aty 35-vjeçari nuk gaboi.

Austria mori kreun e grupit me gjashtë pikë, Franca e dyta me pesë pikë dhe Holanda me katër pikë në vend të tretë. “Tulipanët” kanë shansin për të kaluar si një nga katër të tretat më të mira.

Sllovenia është një tjetër surprizë e kampionatit pasi barazoi pa gola me Anglinë, duke u kualifikuar kështu për herë të parë në raundin e 1/8-ave e Europianit. 

Sllovenia e mbylli këtë fazë të Kampionatit Europian, Gjermani 2024 në vendin e tretë të Grupi C me tre pikë. Në grupin C u eliminua Serbia, e cila regjistroi 2 barazime dhe 1 humbje.

Tv Klan