Emocionet e kompeticionit Europian 2024 kanë mbërthyer lojtarët por edhe tifozët e shumtë të cilët janë nisur drejt Gjermanisë për të parë nga afër magjinë e futbollit.

Ndeshja mes Gjermanisë dhe Skocisë është e para që do të çelë Kampionati Europian. Tifozët do të kenë mundësi që të përjetojnë përmes televizionit Klan ekskluzivisht dhe falas emocionet e çdo ndeshjeje.

Në një intervistë për Klan News gazetari që mbulon sektorin sportit, Glend Tafaj tha se ai dhe kolegë të tij do të nisen që në orët e para të mëngjesit për të qenë në Gjermani, nga ku dhe do të raportojnë çdo gjë që do të ketë lidhje më ndeshjet apo tifozët.

Gjatë fjalës së tij në intervistë ai dha më shumë detaje. Sipas tij do të ketë raportim para fillimit të ndeshjes, gjatë dhe pambarimit të tyre. Raportimet do të bëhen live nga stadiumet në të cilat do të luhen ndeshjet.

Glend Tafaj, gazetar: Do të nisemi që në orët e para të mëngjesit për të gjitha raportimet edhe në qendrën ku është grumbulluar skuadra përfaqësuese, ku po zhvillon seancat stërvitore. Do të jemi në stadiumin e Dortmundit për të raportuar, por edhe në zona të shumta ku do të jenë shqiptarët, është edhe “fun zona” e cila është e organizuar për tifozët shqiptarë. Por edhe në zona të ndryshme sepse të gjithë e dimë që do të ketë shumë shqiptarë jo vetëm ata që jetojnë në Gjermani, por në të gjithë rrethinat. Shqiptarë që do të nisen nga vendi ynë për të qenë të pranishëm atje. Në prag ndeshjeje do të jemi direkt nga stadium do të bëhet komenti në stadium, do të jetë post-ndeshje me intervistat direkt nga zona mikse, nga zona kryesore, flash zonës ku do të jetë trajneri. Pra do të pasqyrohet gjithçka në televizionin Klan. Në mënyrë që të gjithë tifozëve dhe spektatorëve t’u vijë e gjithë atmosfera në ekran nëpërmjet televizionit Klan dhe aty çdo shqiptar kam përshtypjen do të ketë sytë.

Më tej ai shtoi se nëpërmjet ekranit do të përcillet për tifozët çdo emocion i çdo ndeshjeje, veçanërisht të atyre ndeshjeve ku do të luajë Kombëtarja shqiptare. Sipas gazetarit numri i tifozëve shqiptarë në stadium pritet të jetë dominant dhe më i madh në numër se te kampionati i vitit 2016 që u luajt në Francë, ku Shqipëria mori pjesë për herë të parë.

“Ne do të tentojmë që t’u marrim të gjithave maksimumin. Do të ketë edhe lidhjet e përcaktuara nga qendra ku ndodhet skuadra jonë përfaqësuese, për të marrë  çdo informacion të mundshëm, qoftë edhe se si është gjendja e futbollistëve, edhe gjendja emocionale nëpërmjet kontakteve që kemi, por mbi të gjitha gjendja fizike e sportistëve sepse kjo është kryesorja. Për fat të mirë gjithçka është në rregull do të jemi të lidhur edhe në vende të ndryshme ku janë shqiptarët për të marrë edhe ajo vëmendjen kryesore. Sepse sigurisht që skuadra është baza, çfarë ndodh me Kombëtare, por nuk është se anashkalohet edhe pjesa e tifozëve sepse të gjithë e dimë se sa të rëndësishëm janë. Në 2016 e shijuam se çfarë ndodhi në Francë, e pamë që në stadiumet në Francë, ishin 70-80% shqiptarë. Imagjino tani në Gjermani që ka edhe më shumë shqiptarë që jetojnë se sa në Francë, por që e kanë edhe më të thjeshtë për t’u afruar edhe nga Britania e Madhe apo vende të ndryshme, kështu që do të jetë një numër edhe më i madh,” tha Tafaj.

Në këtë Europian Shqipëria do të luajë kundër tre skuadrave të forta. Ndeshjen e parë do e ketë të shtunën me Italinë, të dytën me Kroacinë dhe të tretën me Spanjën. Pavarësisht entuziazmit gazetari tha se duhet të jemi më objektivë dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi të treja ndeshjet do të jenë shumë të vështira për Shqipërinë. Sipas tij të treja skuadrat që do të luajë Shqipëria nuk synojnë thjesht të kalojnë grupet, por edhe të dalin kampione.

“Mua më pëlqen optimizmi dhe jam shumë dakord me optimizmin, por duhet të kemi shumë kujdes sepse nga optimizmi krijohet entuziazëm dhe entuziazmi krijon pritshmëri artificial pastaj. Sepse përpos problem që ka Itali është një skuadër që vjen në këtë kompeticion si Kampione e Europës në fuqi. Kroacia të gjithë thonë që nuk është brezi i artë, por duam apo nuk duam ne ajo doli e treta në botë, para dy vitesh në Botërorin që u zhvillua në 2022 doli e treta, kështu që edhe ata lojtarët e rinj bëjnë një lloj diference. Kemi dhe Spanjës që historikisht e kemi patur të vështirë për mënyrën e futbollit që luan dhe ka element që vijnë nga Real Madrid që e dimë që është kampion Europe. Pra jemi përballë tre kundërshtarëve që nuk janë kandidatë për të kaluar grupin, por janë kandidatë për të shkuar deri në fund, për të dalë kampion,” përfundoi fjalën e tij gazetari Glend Tafaj.

/tvklan.al