“Çdo lojtar duhet t’i kalojë limitet, vetëm atëherë do kemi shanse”, kështu u shpreh për Klan News ish-kapiteni i Kombëtares Altin Lala. Teksa na ndajnë 24 orë nga përballja e Shqipërisë me Kroacinë, Lala thotë se kuqezinjtë tanë duhet të tregohen më agresivë në fushë.


“Të jemi disi më agresivë në lojë dhe të shënojmë e rrezikojmë kundërshtarin. Kjo është tema kryesore. Arbër Hoxha në ato minuta që u fut i solli pak freski skudarës, pati disa aksione. Sidoqoftë duhet të jemi më të guximshëm. Përpos golit nuk patëm shumë aksione. U mundua Broja, por edhe ai ishte vetëm.”

Ndërsa për ndeshjen hapëse të Kombëtares tonë në Euro 2024, tha se nuk pati shumë organizim në mesfushë.

“Vetëm Broja ishte lojtari i parë në mes të fushës, gjithë lojtarët e tjetrë ishin te 16-ja. Italianët e morën prapë topin pasi distancat mes njëri-tjetrit ishin shumë të ngushta. Ky është problemi kur je mbrapa dhe porta e kundërshtarit është larg. Kjo ishte tërheqja e tepërt. Duhet të reagonim më shpejt dhe ta sulmonim kundërshtarin më lart. Loja e tillë që edhe Asllani nuk kishte çfarë të bënte. Atij i duhet dhënë më shumë mundësi për ta organizuar lojën nga mesfusha.”

Golin historik që shënoi Nedim Bajrami, ish-kapiteni e sheh edhe si “disavantazh”.

“Ai ndoshta dhe do bëjë ndryshime në formacion, se jemi mësuar që Sylvinho bën surpriza. Nuk do luajmë si me Italinë. Edhe ky goli i parë ishte avantazh, por edhe disavantazh. Kroacia ka cilësi jashtëzakonisht të lartë. Mund të luajë disi më hapur se Italia. Shpresoj të kemi më tepër hapësira dhe të kemi një qasje më ndryshe. Duhet të vrapojmë shumë, të jenë proaktivë jo vetëm duke shoqëruar kundërshtarin.”

“Nuk na rrezikon në sensin e mbrojtjes, se edhe ai është në moshën e tij tani pavarësisht klasit që ka. Të punojmë në grup sa më shumë”, tha Lala për lojtarin e madh Luka Modric./tvklan.al