Kombëtarja mbërriti në Gjermani për të nisur përgatitjet në SportCentrum Kaiserau në pritje të ndeshjes së parë të Euro 2024, atë me Italinë, që do të luhet më 15 qershor në Dortmund.

Trajneri Sylvinho vendosi të lerë jashtë listës përfundimtare të Europianit portierin Simon Simoni, duke zyrtarizuar 26 të tjerët që do të jenë të gatshëm për këtë turne.

Por 19-vjeçari i Eintracht Frankfurt do të qëndrojë në grumbullimin e Kuqezinjve për të marrë akoma përvojë. Sylvinho në fund vendosi të mbajë 3 portierë; Berishën, Strakoshën e Kastratin, 9 mbrojtës; Hysajn, Gjimshitin, Ismajlin, Mitajn, Balliun, Kumbullën, Mihajn, Alijin e Ajetin, 8 mesfushorë; Asllanin, Ramadanin, Gjasulën, Abrashin, Berishën, Laçin, Bajramin, e Muçin dhe 6 sulmues; Seferin, Brojën, Asanin, Hoxhën, Manaj e Dakun.

Paraditen e së shtunës skuadra zhvilloi një seancë të lehtë stërvitore dhe përgatitjet do të vijojnë të dielën në bazën e Kombëtares pak kilometra nga Dortmundi.

Shqipëria zhvilloi 2 miqësore këtë muaj, ndaj Lihteshtejnit e fituar me rezultatin 3-0 dhe Azerbajxhanit 3-1. Këto takime i dhanë informacione shtesë trajnerit dhe stafit të tij për gjendjen e lojtarëve.

Sylvinho tani nis punën për të menduar për ndeshjen e parë me Italinë që do të zhvillohet më 15 qershor. Rreth 1 javë kohë për të vendosur për formacionin e minutës së parë.

Të gjitha ndeshjet e Euro 2024 do të transmetohen pa pagesë në Klan një eveniment që nis më 14 qershor në Mynih dhe mbyllet në 14 korrik në Berlin.

Tv Klan