Italia u shokua, por vetëm për 23 sekonda. Ky është mendimi një ditë pas ndeshjes me Shqipërinë. Goli surprizë i Bajramit vetëm sa theksoi përqendrimin e italianëve të cilët shumë shpejt deri në minutën e 16 përmbysën gjithçka. Në mediat vendase vlerësohet loja e skuadrës së Spallettit në 45 minutëshin e parë të ndeshjes dhe reagimi i menjëhershëm pas golit të Shqipërisë.

Shkak për këtë përmbysje, sipas italianëve u bë edhe tërheqja e Shqipërisë që i dha mundësi kundërshtarit të zotëronte më shumë fushën dhe topin.

Më pas pjesa e dytë shërbeu për të administruar rezultatin dhe energjitë. Në faqet e para të gazetave vlerësohen Barella dhe Bastoni të cilët përmbysën Shqipërinë.

Këtë të diel skuadra italiane ka zhvilluar një seancë stërvitore e ndarë në dy grupe. Futbollistët që luajtën ndaj Shqipërisë janë ushtruar në palestër ndërsa të tjerët kanë zhvilluar një ndeshje kontrolli me të rinjtë e Borussia Dortmund për të qenë në formë.

Pritet që ndaj Spanjës, ndeshje që do të luhet më 20 Qershor në orën 21:00, Italia të bëjë edhe ndryshime.

Kundërshtari më i fortë i grupit kërkon më shumë cilësi në fushë dhe më shumë lojë, kështu që Spalletti mund të përshtasë skuadrën në varësi të këtij kundërshtari, po gjithsesi nuk mendohet që rreshtimi do të ndryshojë pasi duket se po funksionon.

Tv Klan