Vetëm një humbje në 18 ndeshjet e fundit e shndërrojnë Zvicrën në kundërshtarin ideal të Anglisë në çerekfinalen e Euro2024.

Helvetët i dhanë dorën e fundit përgatitjeve për sfidën e Dyseldorfit, 90 minutësh ku shqiptarët Xhaka dhe Shaqiri kërkojnë të shkruajnë historinë, pasi shpresojnë të kalojnë në  raundin gjysmëfinal.

Shtatë golat e Zvicrës në Euro 2024 kanë ardhur nga lojtarë të ndryshëm për të konfirmuar se loja nuk fokusohet tek një individ, por duke shpërndarë ngarkesën në të gjithë ekipin.

Portieri Jan Somer është detyruar të bëjë vetëm gjashtë pritje në 4 takimet e para, diçka që tregon garancinë e prapavijës zviceriane.

Ata janë një nga katër skuadrat që kanë shënuar dy gola jashtë zonës, së bashku me Turqinë dhe Rumaninë. Edhe saktësia para portës ka qenë e lartë, 18 tentativa kundrejt 15 që kanë përfunduar jashtë kuadratit.

Klan News