Në Tiranë vetëm 1% e të infektuarve aktive kërkojnë trajtim spitalor

Shtrimet në spital vijojnë të mbeten në shifra të qëndrueshme, por shqetësim mbetet grupmosha e re e cila kërkon trajtim spitalor. Sipas mjekëve muajt e fundit  vihet re një rritje numrit të të rinjve që po shtrohen në spitalet për shkak të komplikacioneve nga Covid.

Qarku i fierit ka përqindjen më të lartë të të shtruarve krahasuar me numrin e të infektuarve aktivë. 3.8 % e të prekurve në Qarkun e Fierit kanë nevojë për trajtim spitalor, e ndjekur nga Durrësi me 3.5%,  Berati dhe Gjirokastra me 2.7%  dhe Shkodra me 2.6%.

Në Tiranë, qarku që ka numrin më të lartë të të infektuarve  aktivë me mbi 2 mijë raste, vetëm 1% e tyre kanë nevojë për trajtim spitalor.

Sipas autoriteteve, në Tiranë vihet re një rritje  e mbulesës vaksinale, po ashtu  dhe shkalla e imunizimit nga Covid është e lartë për shkak të kalimit të infeksionit në rrugë natyrale.

Por shfaqja e mutacionit Omicron, i cili po rrit kurbën e  të infektuarve në Europë ka vendosur në alarm edhe autoritetet në Shqipëri. Për këtë arsye  mjekët rekomandojnë marrjen e vaksinës antiCovid për të shmangur format e rënda të Covid dhe fatalitetet.

Tv Klan