Franca do të jetë sërish epiqendra e sportit olimpik. Pas ngjarjes së kësaj vere që do mbahen në Paris nga 26 Korriku deri më 11 Gusht, shteti francez do presë Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2030. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dha dritën jeshile.

Veprimtaria dimërore do të organizohet në Alpet franceze, por me kusht që të sigurohen garanci financiare nga shteti dhe rajonet. Thomas Bach, Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, nuk dha detaje të mëtejshme për këtë çështje.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka dhënë garanci se qeveria që do të mblidhet javët e ardhshme e do të nënshkruajë të gjitha garancitë organizative. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka mirëpritur fjalët e numrit 1 të Francës dhe ka votuar për miratimin e vendimit, por garancitë e përmendura duhet të mbërrijnë brenda Tetorit.

Aktiviteti është planifikuar midis 8 dhe 24 Shkurtit të vitit 2030 dhe do të jetë hera e dytë radhazi në Europë për Lojërat Olimpike Dimërore, pasi eventi i vitit 2026 do të zhvillohet në Milano-Cortina. Ndërkaq, Olimpiada Dimërore e vitit 2034 do të mbahen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Salt Lake City.

Klan News