Gjendja e vështirë që po kalon klubi i Partizanit në këtë sezon është përgjegjësi e drejtuesve, kështu thotë një nga futbollistët më të famshëm të kësaj skuadre si dhe ish-portieri i kombëtares Perlat Musta.

Perlat Musta: “Presidenti e pranoi vetë para dy javësh tha që jam unë fajtor. Partizani prishet vetë nga presidenca. Sivjet u shpërbë përnjëherësh dhe kjo nuk është hera e parë që Partizani shpërbëhet, pavarësisht se nuk ka qenë në këtë gjendje. Brenda këtyre 10 vjetëve Partizani është shpërbë disa herë.”

Perlat Musta nuk e mohon investimin e deritanishëm të Albert Xhanit në klubin e kuq, por sipas tij ky investim ka shkuar dëm pasi në kloun nuk ka ardhur trofeu i dëshiruar, ai i titullit kampion.

Perlat Musta: “U bë 10 vjet Partizani, vetëm një kupë ka marrë të kategorisë dytë edhe një që nuk do ta quaja kupë republike, sepse ajo u kuptua dhe u mor vesh se si ishte.”

Erion Todhe: “Çfarë i duhet këtij Partizani?”

Perlat Musta: “Partizanit i duhet Partizani i vërtetë, aty s’ka njerëz që ta ndjejnë Partizanin dhe Partizani dua të them që mos ngeli peng dhe ka ngel peng prej 10 vjetësh, sepse çdo kush që dështon një staf jep dorëheqjen ikën. Kjo presidencë ka 10 vjet që dështon, mbase nuk është dhe faji direkt sepse nuk mund ta mbajë vetëm një njeri fajin është edhe i atyre që e rrethojnë dhe atyre që i servilosen, asaj presidence, por unë shikoj që  nuk ka emra të vërtetë Partizani, ka vite.”

Musta flet i emocionuar dhe me keqardhje për klubin nga i cili siç thotë ai më shumë ka marrë sesa ka dhënë.

Perlat Musta: “Na bërë Partizani të mëdhenj, emri i Partizanit në bërë ne, jo ne Partizanin. Po të bëjmë llogaritë që nga unë i pari më ka dhënë Partizani më shumë seç i ka dhënë.”/tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe