Trajneri Silvinjo dhe kapiteni Berat Gjimshiti kanë folur për gazetarët në konferencë për mediat. Kapiteni Gjimshiti iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, kryesisht për ndeshjen hapëse ndaj Italisë.

Gjimshiti:Sigurisht që të tre ndeshjet janë të rëndësishme dhe nisja me këmbën e mbarë mund të jetë një ndihmë shtesë dhe sigurisht mund të ndikojë në renditjen e grupit. Një rezultat pozitiv ndaj Italisë mund të jetë një shtysë më shumë për ndeshjet e tjera.”

Gazetarët e pyetën kapitenin në lidhje me shokun e tij të skuadrës tek Atalanta, sulmuesin Xhanluka Skamaka, i cili pritet të jetë titullar ndaj Shqipërisë.

Gjimshiti: Unë e njoh mirë Skamakën, kam një vit që luaj me atë, pas fitores së Ligës së Evropës nuk kam komunikuar. Nuk ka rëndësi unë apo Skamaka, por Italia dhe Shqipëria, pra ekipet. Italinë e kemi ndjekur dhe trajneri na ka treguar se ku është forca e tyre dhe duhet të jemi gati sigurisht”.

Pyetjes së gazetarëve italianë për numrin e shumtë të lojtarëve shqiptarë që luajë në Itali kapiteni ynë iu përgjigj: “Ne kemi një eksperiencë të madhe italiane, shumë lojtarë kanë luajtur në Itali dhe shume prej nesh vijojnë karrierën aty. Ka shumë nga futbolli italian tek ne, edhe trajneri ka një eksperiencë të rëndësishme në Serinë A. Luajmë aty dhe njohim shumë mirë kundërshtarët tanë, por e dimë mirë që kemi përballë Italinë, kampionen në fuqi dhe që luan në të tilla kompeticione për të fituar, ndaj duhet të bëjmë kujdes. Ne do të jemi shumë të motivuar nesër dhe për këtë jemi përgatitur shumë.”

Një nga pyetjet e drejtuar Gjimishiti ishte dhe numri i lartë i futbollistëve shqiptarë që janë lindur dhe formuar si profesionistë në vende të tjera dhe tashmë janë në skuadrën kuqezi.

Gjimshiti: Shumë prej nesh jemi lindur apo rritur në vende të tjera, por jemi shqiptarë. Në shtëpitë tona flitet shqip dhe jemi rritur me dashurinë për vendin tonë. Jemi të lumtur që përfaqësojmë vendin tonë.

Pyetjes se si ka ndikuar puna e Silvinjos në drejtimin e Kombëtares, Gjimshiti iu përgjigj: Puna e tij na ka përmirësuar shumë, prej më shumë se një viti që kur ka ardhur. E dimë si punon çdo ditë për të na ndihmuar. Ka qenë një futbollist i madh dhe një motivator i jashtëzakonshëm. Jemi këtu duke kaluar nëpërmjet një grupi të vështirë dhe kemi marrë shumë komplimente, jo vetëm ne, por edhe stafi e trajneri.

/tvklan.al