Pas humbjes 2-1 me Italinë, Shqipërinë e presin dy përballje të tjera në fushën e blertë: Kroacia dhe Spanja. Trajneri Faruk Sejdini shprehet në “Aldo Morning Show” në Tv Klan se me Kroacinë mund të ketë një mundësi, por thekson se duhet ndryshuar diçka në strategjinë e lojës.

“Me Kroacinë kemi një shans. Kroacia s’ka rrugë tjetër përveç fitores por ndonjëherë përgjegjësia e madhe të çon edhe në frenim, mendoj, megjithëse ajo ka lojtarë të stadit të atillë që dinë ta menaxhojnë  qoftë veten, qoftë lojën në këto situata. Megjithatë, duke qenë në këto kushte, një gjë kemi të sigurt: që Kroacia do të sulmojë me shumë forca se kërkon fitoren. Në rast se me pak strategji, jo të kthehemi të gjithë në mbrojtje siç u kthyem me Italinë kur hëngrëm golin, por aq sa të mbrohemi, aq të mendojmë që edhe mund ta godasim Kroacinë, mendoj që mund ta vjedhim një rezultat”.

Në  analizën e tij, Sejdini përmend një gabim të Seferit i cili sipas tij, humbi nocionin duke u kthyer në mbrojtës. Duke besuar te Sylvinho dhe zgjedhja e tij, Sejdini shton se një lëvizje e mirë mund të ishte kombinimi Broja-Hoxha. Sa për Spanjën, pati vetëm një ‘urim’.

Faruk Sejdini: Tani që mbaroi, ashtu siç ishte ndërtuar, me të vërtetë ishte ndërtuar loja që ta bënim kundërsulmin, por kundërsulmi nuk mund të bëhet nga mbrojtja te Broja. Do një trampolinë, një shkallë. Ata i binin me top të gjatë te Broja, Broja duhet t’i binte me kokë, ta stoponte me kokë dhe ta merrte. Mendoj që më mirë do të jetë që të futet Broja me Hoxhën dhe bëhen dy lojtarë të shpejtë e të fortë meqenëse na duhet patjetër fitorja se s’kemi alternativë tjetër.

Aldo: Po Spanja apo mos të flasim më mirë?

Faruk Sejdini: Spanja të rreh kur të dojë, shpresoj mos ta ketë mendjen që t’i duhet.

Sfida e radhës e Shqipërisë do të jetë të mërkurën kundër Kroacisë më 19 qershor në “Volkspark-stadion” të Hamburgut. Sfida me Spanjën është më 24 qershor në “Dusseldorf Arena”. Ndeshjet mund t’i ndiqni ekskluzivisht në Tv Klan./tvklan.al