Goli i dytë nga Barrella në ndeshjen Itali-Shqipëri vuri në qendër të kritikave të tifozëve Elsi Hysajn për veprimin e uljes së kokës. Reagimet e forta në rrjetet sociale kanë hasur kundërpërgjigjen e trajnerëve dhe futbollistëve të tjerë që i kanë dalë në mbrojtje lojtarit të kombëtares. Trajneri Faruk Sejdini, i ftuar këtë të martë në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, u shpreh se raste të tilla janë krejt normale sepse ndodh në një fraksion sekondi.

“Si ka mundësi, një futbollist që ka sakrifikuar kaq shumë, ka 10 vjet që luan a ndoshta më shumë. ndonjëherë ato janë ndjesi se ti nuk orientohesh dot në atë hapësirë ku je, të duket sikur topi po deel jashtë dhe pse ta nxjerr korne edhe u ul se nuk je orientuar, ato janë fraksione të sekondës saqë edhe ne që ishim në stadium, në televizor e pamë me hollësi se çfarë kishte ndodhur se ishte një fraksion që ne na iku që ishim në stadium dhe s’e pamë”.

Pas largimit nga rrjetet sociale, Hysaj u rikthye duke kërkuar falje publike. Këtë veprim, Sejdini e konsideron “gabim të dyfishtë” sepse sipas tij, ishte i panevojshëm.

“Për mua ai pastaj bëri gabimin e dyfishtë. Çfarë lidhjeje ka për “më fal?” Ne kemi luajtur vetë,kemi bërë autogola, kemi humbur gola, të gjithë lojtarët në të gjithë botën, këto janë bashkëudhëtare”, u shpreh trajneri.

Sfida e radhës e Shqipërisë do të jetë të mërkurën kundër Kroacisë më 19 qershor në “Volkspark-stadion” të Hamburgut. Ndeshjen mund ta ndiqni ekskluzivisht në Tv Klan./tvklan.al