Në Evropë, ka destinacione që i përshtaten të gjithë turistëve, por shumica e tyre vuajnë nga turizmi masiv.

Gjithnjë e më shumë Shqipëria po përshkruhet nga mediat e huaja si një destinacion i ri i cili po bëhet gjithnjë e më shumë i kërkuar nga vizitorët.

Kur vlerësimet për vendin tonë vijnë nga mediat e vendeve që tashmë turizmin e kanë pikën e tyre më të fortë kjo merr një tjetër kuptim. E rradhës është e përditshmja franceze “Grazia” e cila risjell në vëmendje faktin që vendi ynë është cilësuar “Maldivet e Evropës” nga ekspertët e udhëtimeve, por edhe  turistët e huaj.

Përveç peizazheve, Shqipëria është gjithashtu një alternativë më e lirë, por po aq e bukur sa Sardenja në Itali apo destinacionet e tjera të njohura të shtetit fqinj përtej Adriatikut. Në vendin tonë udhëtarët do të gjejnë rrënoja që datojnë nga periudha e lashtë greke dhe romake, si dhe peizazhe ku dominon natyra e gjelbër.

Gjirokastra është një nga qytetet më të lira në Evropë, i konsideruar edhe si qyteti më i bukur në Shqipëri. Arkitektura e saj dallohet për bukurinë e shtëpive tipike dhe kjo është edhe një nga arsyet që e ndihmoi qytetin të përfshihet në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në vitin 2005. Qyteti ka shumë vende që duhen zbuluar, si Shtëpia e Zekatëve, si dhe disa muze që rrëfejnë të kaluarën e lavdishme të qytetit.

Ndër qytetet që rekomandohen është edhe Tirana që ndryshe nga mediat e tjera që e kanë vendosur theksin tek arkitekura dhe e kaluara komuniste, e përditshmja franceze vë në dukje bukuritë e peisazheve natyrore.

Rekomandon që turistët të bëjnë një shëtitje në Malin e Gamtit në verilindje të Tiranës, ku mund të admirojnë  pamjet panoramike të liqenit të Bovillës.

Në fund sugjeron qytetin e Sarandës ku turistët mund të shijojnë mbi të gjitha diellin dhe detin, por mund të zbuloni edhe historinë e lashtë të qytetit bregdetar. Për median franceze qyteti është destinacioni i përsosur për udhëtarët që duan të harrojnë shqetësimet e jetës së përditshme.

Klan News