“Aksi i vetëm rrugor me shpejtësi 130 km/orë, ai i Thumanë-Kashar është tashmë gati për të qenë i hapur për qarkullim mbrëmjen e së dielës. Ashtu sikurse edhe rrugët dytësore, ky aks pritet të lehtësojë trafikun e automjeteve nga Thumana dhe aeroporti i Rinasit”, raporton gazetarja Valbona Lilaj.

Inxhinieri i projektit, Altin Ahmeti thotë për Tv Klan se aktualisht po përmbyllet faza e pastrimit për të gjithë aksin, i cili ka një rëndësi të veçantë për shkak të veprave të artit të ndërtuara.

“Sot që po flasim, po mbyllet 100% realizimi i tyre. Të gjitha janë lidhur me njëra-tjetrën që të mos ketë asnjë pengesë në qarkullimin normal. Janë 3 pika, një është për drejtimin që vjen nga Thumana në drejtim të Tiranës, por edhe të Rinasit, pika tjetër është në drejtimin që vjen nga Tirana në drejtim të Thumanës dhe të Rinasit dhe pika e tretë është në pjesën e Rinasit.”

Fluksi i automjeteve në këtë aks parashikohet të jetë tejet i lartë, sidomos gjatë periudhës së sezonit turistik, ndërsa vënia e tij në funksion pritet të lehtësojë ndjeshëm trafikun e automjeteve që krijohet shpesh në akstet ekzistuese, si ai Fushë-Krujë-Rinas dhe Rinas-Qafë-Kashar.

“Ne presim që fluksi të jetë maksimal duke parë trafikun që është mjaftueshëm i ngarkuar në aksin Thumanë-Fushë Krujë, por edhe Rinasit. Tani presim që të lirohet 100% trafiku.”

Si një aks i Kategorisë A, ku shpejtësia e lejuar do të jetë 130 km/orë, Ahmeti kërkon nga qytetarët të tregohen të kujdesshëm në respektimin e sinjalistikës dhe rregullave të qarkullimit rrugor.

“Sinjalistika është e gjitha e përshtatur për kategorinë e rrugës, është e kompletuar e gjitha. Ne kemi edhe sistemet e monitorimit të rrugës. Njerëzit duhet të jenë të vëmendshëm të respektojnë sinjalistikën.”

Rruga e re ka një gjatë 21 kilometra dhe ajo është ndërtuar përmes një koncensioni me afat 35 vite. Burimet financiare për ndërtimin e rrugës janë siguruar nga koncesioni dhe në kthim do të merren të ardhurat nga tarifat për kalimin në rrugë.

Tv Klan