Qëkur presidenti rus Vladimir Putin shkarkoi ministrin e tij të mbrojtjes Sergei Shoigu, shërbimi rus i sigurisë FSB ka ndjekur një sërë çështjesh korrupsioni të nivelit të lartë.

Andrei Belousov, ekonomisti teknokrat i emëruar për të zëvendësuar Shoigu, ka një mandat për të reduktuar korrupsionin në ministrinë e mbrojtjes dhe për të përmirësuar prodhimin ushtarak për një luftë të gjatë kundër Ukrainës që mund të vendoset kryesisht nga prodhimi industrial.

Por ish-zyrtarët e mbrojtjes dhe të Kremlinit, ish-oficerët dhe vëzhguesit e huaj kanë thënë se ka të ngjarë që largimi i Shoigut të ketë lejuar FSB-në, të hetojë çështjet e brendshme dhe të rrëzojë zyrtarë të fuqishëm në pushtet.

Gjatë gjithë luftës në Ukrainë, Shoigu dhe Gersasimov janë vënë nën kritika nga avokatët pro luftës për pengesat e ushtrisë dhe dështimin e tyre për të çrrënjosur korrupsionin e përhapur brenda forcave të armatosura. Verën e kaluar, kjo pakënaqësi arriti kulmin kur Yevgeny Prigozhin, themeluesi i grupit paramilitar Wagner, nisi një rebelim të pasuksesshëm kundër udhëheqësve të ushtrisë.

Në harkun kohor të një muaji, katër zyrtarë të lartë të mbrojtjes u arrestuan me akuza për korrupsion, duke shënuar goditjen më të rëndësishme në ministrinë e mbrojtjes në vite. Spastrimi filloi më 23 prill me arrestimin tronditës të zëvendësministrit veteran të mbrojtjes Timur Ivanov për marrje të ryshfetit.

Ivanov ishte një i besuar i Sergei Shoigu dhe paraburgimi i tij besohet të ketë hedhur themelet për shkarkimin e Shoigut, i cili më pas u zëvendësua si ministër i mbrojtjes nga Belousov. Në javët që pasuan, zyrtarë të tjerë të rangut të lartë u arrestuan.

Këtu përfshiheshin Yuri Kuznetsov, kreu i departamentit të personelit të ministrisë dhe Vadim Shamarin, kreu i departamentit të komunikimit të shtabit të përgjithshëm rus.

Disa orë pas arrestimit të Shamarin komiteti hetues i Rusisë raportoi gjithashtu arrestimin e një zyrtari tjetër të ministrisë së mbrojtjes  Vladimir Verteletsky, i cili drejtonte një divizion në departamentin e prokurimit të mbrojtjes.

Rivalitetet ndërinstitucionale janë të thella në Rusi dhe rrëzimi i Shoigu mund t’u ketë dhënë hetuesve në FSB dhe komitetin hetimor një mundësi për të shqyrtuar çështjet penale kundër drejtuesve të lartë.

Tv Klan