Trajneri i Ukrainës, Serhiy Rebrov tha se humbja e parë e ekipit të tij 3-0 ndaj Rumanisë në Euro 2024 të hënën, ishte një rezultat që askush nuk e priste.

Dy gabime nga portieri Andriy Lunin rezultuan fatale pasi Rumania kaloi në epërsi në Mynih nëpërmjet kapitenit Nicolae Stanciu, me Razvan Marin dhe Denis Dragus që plotësuan fitoren në pjesën e dytë.

“Fatkeqësisht askush nuk e priste këtë rezultat,” tha Rebrov, i cili udhëhoqi Ukrainën në kampionatin e katërt evropian radhazi, pavarësisht se vendi ka pësuar shumë dëme nga lufta pas pushtimit rus në 2022.

“Lojtarët mendojnë se nuk bënë mjaftueshëm. Para ndeshjes u thashë se po përfaqësojmë një vend të madh, të fortë, që lufton për më shumë se dy vjet për lirinë tonë. Sot nuk bëmë mjaft mirë, prandaj ata (lojtarët) u kërkojnë falje tifozëve. Ne duhet t’i tregojmë një Ukrainë tjetër për ndeshjen kundër Sllovakisë.”

Rebrov tha se lojtarët kishin zhvilluar pas ndeshjes një takim vetëm me njëri-tjetrin në dhomat e zhveshjes dhe i kishin kërkuar që ai të mos merrte pjesë.

“Të gjithë kemi emocione. Të gjithë janë të pakënaqur. Nëse nuk tregojmë maksimumin, atëherë do të jetë shumë e vështirë, Nuk ka rëndësi kush është favorit, futbolli ka të bëjë me atë që tregon atë ditë. Sot ne nuk treguam nivelin tonë“, tha trajneri ukrainas Serhiy Rebrov./tvklan.al