Turqia zë peshën kryesore të investimeve të huaja direkte për 3 mujorin e parë të këtij viti sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Siç vihet re ky shtet renditet në vendin e parë me një vlerë prej 69 milionë euro në 3 muajt e parë të 2024, nga 53 milionë euro, në tremujorin e katërt të 2023.

Ndërsa në vend të dytë renditet Italia e cila ka shtuar ndjeshëm interesin për investime në sektorë të ndryshëm të vendit tonë vitet e fundit. Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërise, investimet direkte italiane kapën vlerën e 41 milionë eurove në 3-mujorin e parë të këtij viti. Një shtet tjetër që ka interes të konsiderueshëm për të investuar në Shqiperi, është Austria duke shënuar një portofol investimesh me 31 milionë euro përgjatë periudhës Janar-Mars 2024.

Holanda renditet si vendi i katërt që ka investuar në Shqipëri gjatë 3 muajve të parë të këtij viti, me 25 milionë euro edhe pse gjatë 2023 zinte vendin e parë për investimet me një portofol prej 88 milionë eurosh. Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ekspertëve dhe agjencive imobiliare, kryesisht një pjesë e konsiderueshme e investimeve të huaja direkte janë për blerje pronash, e sidomos në zonat e bregdetit, por edhe për investime në sektorët e fasonerisë.

Klan News