Futbollisti i Kombëtares, Armando Broja ka thënë se është mërzitur pak kur ka mësuar formacionet për ndeshjet përballës Kroacisë dhe Spanjës. I ftuar në emisionin “Kampionët” në Tv Klan, Broja vlerëson 2 sulmuesit Dakun dhe Manajn e për këtë të fundit thotë se ka qenë më në formë se ai.

Armando Broja: Sezonin që kam kaluar tani ishte shumë i vështirë dhe kur më thërriti trajneri nuk dija nëse do të isha sulmuesi kryesor apo se çfarë do të ndodhte. Me thënë të drejtën, edhe dy sulmuesit e tjerë, Manaj dhe Daku kanë luajtur më shumë se unë dhe sidomos Manaj ka bërë shumë gola në Turqi dhe ka qenë më në formë se unë. Trajneri u desh të merrte një arsye për të luajtur dhe unë e respektoj atë që thotë trajneri. Dhashë maksimumin kur më thirri ai dhe më futi në lojë.

Golin e kemi bërë shumë shpejt dhe jemi çuditur të gjithë kundër Italisë se goli kishte për të ardhur shumë shpejt. Nuk e kemi bërë atë që duhej të bënim taman dhe kishim vështirë të komunikonim me lojtarët, stadiumi ishte plot me shqiptarë dhe ishim pak, mbrojtja ishte mbrapa, sulmuesit para dhe ndoshta emocionet për ndeshjen e parë kanë qenë. Po të ktheja atë ndeshje pas, do kishte qenë ndryshe. Por tani ka kaluar.

Marina Vjollca: Ndërkohë, në ndeshjen e dytë sigurisht që ti prisje të luaje, çfarë mendove kur mësove formacionin?

Armando Broja: Si çdo lojtar ke për të qenë pak i mërzitur dhe unë isha pak i mërzitur. Unë respektoj gjithmonë vendimet e trajnerit dhe duhet me e përdor atë kur je i mërzitur që me të bërë me nerva në një mënyrë të mirë që me luajtë me mirë dhe me i tregu trajnerit që dua të hyj dhe unë në fushë. E di, nuk më futi me Kroacinë, kemi luajtur një ndeshje shumë të mirë me Kroacinë si ekip. Kur e pashë ndeshjen mbrapa si mbaroi, kemi pasur shumë mundësi të fitojmë ndeshjen dhe kemi pasur shanse për të bërë gola më shumë se kemi bërë, por doli një rezultat i mirë sepse edhe Kroacia nuk janë një grup i lehtë. Kur doli rezultati 2 me 2 ishte bukur, por prapë donim më shumë se nëse do të kishim 3 pikë, ndeshja me Spanjën kishte qenë më ndryshe.

Në ndeshjen Shqipëri-Spanjë, Armando Broja hyri në fushë në minutën e 58-të, duke zëvendësuar Rei Manajn./tvklan.al